Në Shqipëri, nëse ka një statistikë për të cilën nuk je shumë i sigurt, është ajo e popullsisë dhe tendencave të emigracionit. Shifrat zyrtare të institucioneve shqiptare e nxjerrin popullsinë më 1 Janar 2023 në rreth 2.76 milionë banorë, apo rreth 145 mijë persona më pak sesa në vitin 2011, kur është kryer dhe censi i fundit i popullsisë dhe publikuar së fundmi në Monitor.al

Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se në periudhën 2011-2021, shtetet e Bashkimit Europian (që deri në vitin 2018 përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar) kanë dhënë rreth 520 mijë leje qëndrimi për shtetas shqiptarë, ose mesatarisht 50-60 mijë në vit.

Sidomos viti 2022 shënoi rigjallërim të ndjeshëm të ciklit të emigracionit, ku vetëm kërkesat për azil ishin rreth 32 mijë, më të lartat që nga 2018-a. Gati 60% e tyre kishin destinacion Mbretërinë e Bashkuar, një kanal i ri emigracioni i dy viteve të fundit, i cili u shndërrua në problem diskutimi ndërshtetëror dhe diskutimi politik në Parlamentin dhe media britanike. Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 70% e azilkërkuesve janë të rinj, të moshës deri në 29 vjeç.

Rënia e popullsisë dy vitet e fundit ishte aq e ndjeshme sa ndikoi në tregun e punës, teksa të gjitha bizneset filluan të ndienin mungesën e fuqisë punëtore, konsumi për produktet bazë si buka apo sheqernat ra me 30-40% (e verifikuar nga tkurrja e importeve). Këtë tkurrje, prodhuesit e tregtuesit e lidhin me ikjen e të rinjve, që ishin dhe konsumatorët më të mëdhenj të tyre.

Projeksionet e fundit të INSTAT, të cilat u bënë në vitin 2019, janë materializuar që tani në skenarin më negativ të tyre, si një tregues indirekt i cili bën më të mundshme që shifra e popullsisë të jetë dukshëm më e ulët se ajo që raportohet.

Në vitin 2023, vendi kishte 47 mijë banorë më pak se parashikimi pesimist i 2019-s. Shtesa natyrore e popullsisë u bë negative, për herë të parë në tremujorin e parë 2023 (me përjashtim të periudhës së pandemisë, kur vdekjet ishin në mënyrë të pazakontë të larta). Censi i INSTAT është shtyrë disa herë dhe pritet që të zhvillohet në shtator, teksa të dhënat do të duan muaj të dalin.

Parashikimet nuk janë aspak pozitive. Sipas Divizionit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2100, Shqipëria, – që sot është ende një nga vendet me moshë mediane (mesorja që ndaj popullsinë në dy pjesë të barabarta) më të re në Europë (38.8 vjeç)- do të jetë shteti më i plakur në botë, me gjysmën e popullsisë, e cila do të jetë mbi 65 vjeç, duke ia kaluar dhe vendeve si Spanja e Italia, që sot kanë popullsinë më të moshuar në Europë.

Rezultatet e tjera të parashikimit të popullsisë nga një grup i madh ekspertësh vendas e të huaj, që u udhëhoq nga IOM – Albania, tregojnë se numri i përgjithshëm i banorëve në Shqipëri ka gjasa të ulet thuajse në mënyrë lineare gjatë tri dekadave të ardhshme, duke zbritur deri në 2.06 milionë banorë në vitin 2050.

Implikimet pritet të jenë të mëdha në një popullsi të vogël dhe që është ndër më të varfrat në Europë, teksa situata, e cila që tani është alarmante, nuk po merret seriozisht nga politikëbërësit.

Tregu i punës po e ndien që tani ngërçin, teksa mungesa e të rinjve pritet të ndikojë ndjeshëm në produktivitetin e ekonomisë. P.sh., turizmi është një nga sektorët që po e ndien më shumë mungesën e punonjësve, përballë një fluksi të lartë turistësh, por nuk është i vetmi. Më e keqja është se po ikën brezi i arsimuar, si mjekët, apo informaticienët, duke krijuar një valë të rëndësishme e me pasoja të largimit të trurit.

Skema e pensioneve pritet të jetë më e prekura. Parashikimet e IOM tregojnë se brenda dy dekadash, hyrjet e reja në tregun e punës nuk do të jenë të mjaftueshme për të zëvendësuar largimin e popullsisë që nuk është më në moshë pune.

Zhvillime të tilla do të jenë sfida reale për të gjithë sistemin shoqëror të vendit dhe qëndrueshmërinë e tij. Rënia e popullsisë është e dukshme, por mungesa e të dhënave të sakta për grupmoshat dhe shpërndarjen gjeografike i bëjnë më të forta efektet negative dhe më të vështira zgjidhjet.

Pranimi i realitetit fillimisht dhe hartimi i një strategjie kombëtare për të ndalur vrullin e rënies së popullsisë janë të domosdoshme, në mënyrë që vendi të mos përballet në dekadat e ardhshme me një krizë të vërtetë demografike.