Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump nuk ka pranuar që ta përjashtojë mundësinë që ta njohë aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë para samitit të planifikuar të Trumpit, me presidentin rus, Vladimir Putin.
I pyetur nga gazetarët më 29 qershor se nëse janë të vërteta raportimet se Uashingtoni mund të heqë dorë nga kundërshtimi i aneksimit të Krimesë nga Rusia, Trump tha se “ne duhet ta shikojmë” këtë çështje.
“Do të shohim se çfarë do të bëjë Rusia”, është shprehur Trump.
Komentet e Trumpit për shqyrtimin e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë, që ishin vendosur pas aneksimit të Krimesë më 2014 vijnë pas raportimeve në media, ku citoheshin liderët evropianë, të cilët kanë thënë se Trump gjatë takimit të G7-s ka diskutuar privatisht se Krimea duhet të jetë pjesë e Rusisë, sepse shumica e popullsisë është rusishtfolëse.
Trump, gjatë fushatës presidenciale më 2016, gjithashtu kishte refuzuar që të përjashtonte mundësinë e njohjes së territorit në Ukrainë të aneksuar nga Rusia dhe vazhdimisht është zotuar se do të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën.
Por, që prej se është zgjedhur president, Trump ka ndjekur qëndrimin e SHBA-së të trashëguar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, i cili pati thënë se me aneksimin e Krimesë është shkelur e dretja ndërkombëtare dhe vendosi sanksione mbi Rusinë dhe të njëjtën gjë bëri edhe Bashkimi Evropian.
Refuzimi i Trumpit për të riafirmuar kundërshtimin e SHBA-së ndaj ndërhyrjes ruse në Ukrainë, mund të ngjallë frikë tek aleatët evropianë, përpara takimit të ardhshëm të NATO-s, që mbahet muajin e ardhshëm.
Pas takimit të NATO-s më 11 korrik, Trump do të udhëtojë për në Helsinki për të marrë pjesë në samitin e parë kokë më kokë me Putinin më 16 korrik.
Gjatë kësaj jave u njoftua për takimin Trump-Putin. Presidenti amerikan ka thënë se ky takim është një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet, pas një viti të tensionimit të tyre, për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj Sirisë, pas sulmeve të dyshuara me armë kimike dhe pas njoftimeve se Rusia qëndron prapa një sulmi me agjent nervor, ndaj një ish-spiuni rus në Angli.
Teksa ka folur me gazetarët më 29 qershor, Trump gjithashtu ka thënë se në takimin me Putinin do ta ngrisë edhe çështjen e ndërhyrjes së dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amaerikane ml 2016.
“Do të flas me të për gjithçka”, ka thënë Trump.
“Ne do të flasim për Ukrainën, do të flasim për Sirinë. Ne do të flasim për zgjedhjet…Ne nuk duam që askush të ndërhyjë në zgjedhje”, ka thënë presidenti amerikan.
Zëdhënësi i Kremlinit ka thënë më 29 qershor se Putini është i përgatitur që t’i tregojë Trumpit se Moska nuk ka tentuar që të ndikojë në zgjedhjet amerikane.
“Nëse çështja për ndërhyrjen në zgjedhje do të ngritet nga presidenti i SHBA-së, atëherë presidenti rus do të përsërisë qëndrimin se Rusia nuk ka mundur dhe nuk ka të bëjë asgjë me këtë situatë, ku insinuatat për këtë çështje janë hedhur poshtë”, është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Përderisa ndëryrja në zgjedhjet amerikane vazhdimisht është hedhur poshtë nga Putini dhe Trump, për këtë çështje janë kryer disa hetime në Kongres, që kanë dalë me përfundime të ndryshme. Për këtë çështje është emëruar edhe këshilltar i posaçëm.
Agjencitë e inteligjencës, këshilltari i posaçëm dhe komitete të ndryshme të inteligjencës kanë ardhur në përfundim se Rusia ka tentuar që të ndikojë në zgjedhjet e vitit 2016, përmes fushatave të ndryshme në mediat sociale dhe përmes formave të tjera./Rel/