Në shëtitoren e re të Himarës

Nga Çapajev Gjokutaj

Në shetitoren e re të Himarës ndihesh mirë. I ulur në stol a në ndonjë nga lokalet përbri saj, ke përballë gjirin e vogël e të bukur.

Prania e detit të qetëson. Mbase me nuancat e të kaltrës, mbase me njelmësinë që ndihet në ajër, mbase me hapsirën e pamatë që të grish t’i relativizosh hallet e ta marrësh gjithçka me qetësi.

Por ndjenja e komoditetit mund të burojë edhe nga fakti se këtu, pa ikur nga qyteti, ndihesh larg makinave e kaosit, mes natyrës e mes njerëzish të qetë e të shkujdesur, siç mund të jenë vetëm pushuesit.

Nevoja për njerëz më kujton fëmijërinë. Gëzoheshim shumë kur bujtnin mysafyrë. Të shumtën e herës ishin nga fshati i origjinës, Kuçi. Në ato kohë s’kish televizor kështu që gjithë kohës bëhej muhabet, tregoheshin ndodhi të jetuara e të dëgjuara. Ato biseda ishin edhe bibliotekë, edhe kinema për ne, fëmijët.

Kujtoj që jo rrallë flitej për vëllemër, njerëz që, pasi pinin nga një pikë gjak të tjetrit, lidheshin e bëheshin si vëllezër, i gjendeshin njeri-tjetrit në të mirë e në të keq.

Shumica e vëllemërive që rrëfeheshin ishin me banorë të Bregut, dmth të fshatrave të Himarës a më gjerë.

Më pas, kur u rrita mora huqin të gjej kuptime për çdo gjë. Mundësisht një dhe vetëm një kuptim dhe sa më të padiskutueshëm. I armatosur rendë me dije dhe metodë? i dhashë dum se vëllamëritë e kurveleshasve me bregasit kishin një themel ekonomik: shkëmbimin e mallrave.

Kurveleshasit siguronin vaj e ullinj, bregasit produkte blegtorale. Për të realizuar këto shkëmbime duhej të lëviznin jashtë fshatit, vëllazërisë e fisit. Jashtë, në një hapsirë ku nuk ndiheshin fort të mbrojtur, ndaj u duhej një derë e hapur, për siguri e strehim.

Si kaloi dhe ca kohë arrita të kuptoj se bota ishte shumë më e ndërlikuar dhe më e lamishme, ndaj vështirë se e nxënin arsyetimet e mija thjeshtëzuese.

Vëllamëritë mund të kenë patur në themel shkëmbimet ekonomike, por mund të kenë patur edhe nevojën për status e fuqi dhe sidomos për t’i demonstruar këto në sytë e të tjerëve.

Ashtu si mund të kenë patur në themel edhe dëshirën e natyrshme për të përjetuar lidhje të reja dhe për të mos u mjaftuar vetëm me lidhjet fisnore, që hera herës ngjanin prozaike, si çdo gjë e përherëshme dhe e detyrueshme.

Por vëllamëritë mund të lindnin edhe thjesht mbi një pëlqim vetiak, një lloj tërheqjeje a kimie mes personash të largët, të ndryshëm nga njeri-tjetri në përkatësinë fisnore, krahinore, fetare etj.

Se njeriu ka patur, ka dhe do të ketë kurdoherë nevojë për tjetrin, të ndryshmin; për njeriun dhe njerëzoren, qoftë edhe në një trajtë të lirë e fluide, si këtë mëngjes në shetitoren e Himarës.

Përbri meje një grup pushuesish e vendalinjsh kanë bashkuar disa tavolina se kanë qejf të jenë pranë e pranë. Mes të qeshurave dalloj se komunikojnë në 3 – 4 gjuhë, por kjo s’i pengon të jenë bashkë. Dëshira për t’u afruar me tjetrin tejkalon çdo barierë, them.

Për çudi, mes kësaj paqeje e alegrie më feks në kokë se gjatë vitit ekranet e lajmeve na sjellin një Himarë të trazuar. Si të mos ishte perlë dhe ‘lule e vilajetit’, siç thotë kënga, por tokë e çartur, që prodhuakish vetëm halle, grindje e shovinizma.

Kusure të perceptimit, them me vete dhe zhytem prapë në ngashënjimin e mëngjezit bregas.

( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )