Milan mban “gjallë” shpresat për Champions, Giroud shënon “hat-trick”-un e parë me fanellën kuqezi ndaj Sampdorias

Pas ‘hidhërimit’ në gjysmë-finale të Champions League ndaj Interit dhe humbjes në kampionat ndaj Spezias, Milan rikthehet te fitorja në Seria A.

Kuqezinjtë reaguan menjëherë pas eleminimit në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Sampdorian me ‘manita’. Milanezët triumfuan me shifrat 5-1, duke e kthyer këtë sfidë në një seancë stërvitore, ndaj një kundërshtari që i ka thënë ‘lamtumirë’ Seria A.

Leao hapi serinë e golave në minutën e 9-të.

Quagliarella vendosi baraspeshën, pas vetëm 11 minutash lojë për miqtë.

40-vjeçari shënoi kështu për të 18-in sezon radhazi të paktën 1 gol në Seria A. Vetëm Rivera e Piola me 20 sezone si dhe Totti me 23 sezone radhazi kanë bërë më mirë se ai.

Olivier Giroud realizoi trigolëshin e parë me fanellën kuqezi. Sulmuesi francez shënoi fillimisht në minutën e 23-të. 36-vjeçari shënoi edhe golin e dytë falë një 11-metërshi, në minutën e 26-të. ‘Hat-trick’-un Giroud e kompletoi në minutën e 68-të, ndërkohë që më herët Brahim Diaz kishte shënuar edhe golin e 4-t.

Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga fundi i kampionatit, Milan renditet në vendin e pestë me 64 pikë./Limit.al