Lodhja mund të tregojë mungesën e gjumi, stresin, sëmundjet psikike ose organike.
Çdo individ ka nevojë për një sasi të caktuar gjumi. Por, studimet kanë treguar se si gjumi i pakët, ashtu edhe ai i tepërt, shoqërohen me lodhje te theksuar trupore dhe me një rritje të vdekshmërisë.
Më shpesh, lodhja është një ndjesi krejt normale dhe fiziologjike, që i lejon trupit të ketë sasinë e mjaftueshme të gjumit, me qëllim që të garantojë mekanizmat e rigjenerimit dhe funksionimin e mirë të sistemit tonë imunitar. Gjithsesi, një nevojë e madhe për gjumë ose një lodhje e vazhdueshme mund të jetë rezultat i një stili jetese të papërshtatshëm, me gjumë të pamjaftueshëm ose me stres, madje edhe manifestim i ndonjë sëmundjeje.
Tipet e lodhjes janë:
- Lodhja e përkohshme: lodhja fizike ose dobësia psiqike kalojnë pas një faze pushimi dhe gjumi. Në përgjithësi, shkaku i kësaj lodhjeje është i njohur.
- Sindromat e lodhjes kronike: lodhja është e vazhdueshme, e shpejtë, karakterizohet nga rënia e performancës për aktivitetet e përditshme dhe nuk kalon pas një faze pushimi. Në këtë tip bën pjesë sindroma Burnout.
- Lodhja jonormale gjatë ditës: shenjë klinike tipike e një çrregullimi të cilësisë së gjumit, qoftë nga paaftësia për të fjetur, për ta vazhduar gjumin, ose edhe nga sindroma e apnesë së gjumit (e karakterizuar nga gërrhitje dhe çrregullime të gjumit gjatë natës).
Gjatë një lodhjeje të shkaktuar nga stresi, pacienti është shpesh viktimë e çrregullimeve të gjumit, dhimbjes së kokës, tensioneve muskulare, i ndjesisë së të ftohtit dhe mungesës së oreksit.
Kur lodhja ka në origjinë një kancer, krahas lodhjes pacienti shfaq temperaturë të lartë, rënie në peshë dhe djersitje gjatë natës. Lodhja e shoqëruar me zbehtësi, dhimbje koke dhe palpitacione mund të jetë tregues i një anemie.
Shembuj lodhjesh si pasojë e mënyrës jo të shëndetshme të jetesës:
- Mungesa e gjumit: me çrregullime të gjumit, gërrhitje të shoqëruara nga çrregullime të frymëshkëmbimit (sindroma e apnesë së gjumit)
- Mungesa e aktivitetit fizik, veçanërisht në vjeshtë dhe në dimër
- Dehidratimi i shkaktuar nga konsumi i pamjaftueshëm i lëngjeve
- Mbipesha trupore
- Stresi, puna jashtë orarit
- Zhgënjimi, trishtimi
- Sindroma premenstruale
- Mungesa e magneziumit në organizëm
Shembuj lodhjesh të shkaktuara nga sëmundje fizike ose psiqike:
- Anemia, veçanërisht anemia nga mungesa e hekurit ose vitaminës B12
- Insufiçienca kardiake
- Hipotensioni arterial
- Sëmundjet kronike të mushkërive: BPKO, bronkiti kronik
- Sëmundjet infektive akute, si gripi
- Sëmundjet infektive kronike, si HIV-i ose hepatiti
- Sëmundjet psiqike, si depresioni, çrregullimet e ankthit, sindroma Burnout, çrregullimet e lidhura me ushqyerjen, sëmundjet psikosomatike (anoreksia)
- Sindroma e lodhjes kronike
- Diabeti i sheqerit
- Çrregullimet hormonale: hipotireoza
- Kanceret, veçanërisht leuçemitë dhe limfomat
- Efektet dytësore të medikamenteve
Si të veprojmë nëse kemi lodhje?
Një stil jetese i shëndetshëm, i bazuar në ushqyerjen e ekuilibruar, aktivitetin e rregullt fizik, evitimin e duhanit dhe alkoolit, gjumin e mjaftueshëm, si dhe alternimin e arsyeshëm të fazave të aktivitetit mendor dhe fizik me faza çlodhëse, mund të parandalojë dhe luftojë fenomenin e lodhjes.
Ja disa këshilla për ata që vuajnë nga lodhja e përgjithshme trupore:
- Kryeni më tepër aktivitet fizik, por kujdes nga mbingarkesa: rekomandohen shëtitjet në ajër të pastër dhe veprimtaritë sportive të kontrrolluara nga profesionistë
- Reduktoni stresin, duke praktikuar teknika të tilla si joga, relaksimi progresiv i Jacobson, trajnimi autolog
- Alternoni banjat e nxehta me ato të ftohta
- Përmirësoni kontaktet shoqërore
- Respektoni një program ditor të strukturuar
- Përmirësoni gjumin /Medinfo.al /Limit.al