Mençuria të lë në vetmi!

Nga Kimete Berisha

Psikologjia e ka vërtetuar se mashkulli nuk e pëlqen femrën që është më e mençur se ai.
Femrën e mençur – nuk e duan afër, sepse ajo flet shumë dhe kur flet shumë, sado e bukur që je, të humb feminiteti.
Femra e ka zbuluar sekretin e lartpërmendur, pra, femra e di që më mirë i bie të mos duket e mençur, prandaj edhe kur plaket bën si ‘nuse’ në shtëpinë e re.
Kur ndodh që mashkulli e zgjedh femrën e mençur, këtë veprim e bën sepse dëshiron të ndjehet ‘i parritur’!
E femra s’ka urretje më të madhe se sa ta rris një burrë të rritur.
Sa herë femra bërtet dhe sillet si mashkull, rebelohet dhe e bën këtë si protestë ndaj mashkullit që nuk sillet si mashkull!
E çka pritet prej mashkullit?
Unë nuk pranoj udhëzime se ‘çka duhet të bëj’. Nuk varet prej meje, më rrotullohet truri i vogël në bark, aty ku e ka rrënjën.
As s’dua këshilla, as s’ka mundësi të më tregoj dikush se çka është mirë për mua. I urrej pyetjet.
As nuk bëj pyetje, as nuk pērgjigjen në pyetje.
Nëse s’je e mençur, të bie shi n’kallamoq, se meshkujt kanë merak në femra naive.
Turpërohen prej tyre, shumë, por rrezikojnë turpin sepse ndjehen mashkujt, mentorë të tyre, pedagogë:
ju tregojnë ‘gjëra’ që s’i dinë, e nuk e dinë ata se femrat naive nuk dinë, jo pse s’ka kush t’i mësojë ato, por thjesht janë budallaqe, s’dinë.
Dija është vuajtje.
Pastaj vjen pleqëria dhe s’ka gjë më të neveritshme se sa plaka naive.
Në rini dukesh simpatike kur nuk di, por pastaj, dukesh e neveritshme.
Padija shkon me moshë.
Të riut i ka hije naiviteti, të vjetrit i ka hije vetëm urtësia, mirëkuptimi, qetësia…pra, ato veti që asnjë plak nuk i ka…
Kur i zgjedhin vajzat e reja, i zgjedhin për të ikur nga mosha e tyre, nga e kaluara e tyre, e zgjedhin dikë pa të kaluar, për t’ua shkruar këta biografinë.
Me të paditurën ndihen të ditur.
Pra, dijen e tyre nuk e masin me dije, por me padijen e femrës.
Nëse femra është e ‘shtirë, e urrejnë, e trentë…
por kur mburren marrin shembull nanën e tyre që ka qenë e ‘shtirë si mashkull: kur dikush e shkelte oborrin, tha nana e merrte sakicën e dilte te dera e sokakut. Rri ti brenda, i thoshte
babës, se unë i ndreqi këta…
Nëse je e urtë ‘e ngratë’ ju pëlqen, por ty të plas zemra.
E nëse e aktron urtësinë – kapërcen më së miri.
Gjithmonë shtirja jep rezultate më të mëdha.
Sidomos femra që shërben (ama me kusht që shërben pa ankesa, pa gjëmime, nuk ta bën hyzmetin me gjal), ajo është më idealja prej të gjitha femrave të nënshtruara.
Femra e guximshme shkakton frikë te mashkulli.
Trimëria e mashkullit ushqehet me frikën e femrës.
/ E ai mashkulli që del n’penxhere e i shikon lëvizjet ‘popullore’ n’sokak;
– E ai mashkulli që rri n’ballkon pi çaj me kojshike e fol për Luizin;
– E ai tjetri që hyn në rrjete sociale e i nxjerr thikat, sakicat, apasaqat, boksat e hekurit, kozhukun…e i thotë femrës, ‘të bëj sallatë’ pse ti nuk ma bën qejfin mua….
– E ai mashkulli që kur kthehet nga puna e shtetit shtrihet të kotet derisa pret darkën të bëhet gati…
– Ai mashkulli që me ndihmën e gruas e rrah kunatën që ia përqeshi bakllavën.
– Ai tjetri mashkull që edhe pse e kishte vrarë nënën e tij dhe ishte në burg, familja e përfshinë në përkujtimin për nënën e tij…’E përkujton me mall, vrasësi, djali i saj…’.
Ku gjen ti kësi meshkujsh përveç në Kosovë e në Shqipëri.
E ku po i shihni ju ata meshkuj?
Fjalëpak.
Trima.
Që nuk merren me thashetheme.
Që nuk mbathin qorape të kuqe me kundra të zeza.
Që kur bëhen nervoz, shkurtojnë dru e nuk shkurtojnë femra.
I. Femrat zvogëlohen nga pikëllimi.
II. Shuhen nga kotësia.
III. Rrudhen nga sekretet.
A ka meshkuj të mirë?
Qysh jo!
Janë ata që nana nuk i ka mësuar ‘t’i sundojnë gratë’.
Pra, nana është ajo që krijon sundimtarë. Që i bie se gruaja krijon sundimtarë për t’i pushtuar gratë (dhe ripuahtuar veten).
Gjithçka ndryshon në natyrë, përveç meshkujt.
Shqiptarët janë kaq të vrazhdtë në përgjithësi, mashtrues e dyfyryrësh (si e vetmja armë e tyre për mbijetesë), me meshkuj e me femra, komplet shkaku se kanë mentalitet.
Është mentalitet primitiv!
Censura. Veç censura është kundërhelm për shqiptarët.
Autorja nuk ka pasur probleme me meshkuj. Prandaj është e vetmuar.
Të gjitha problemet e mia janë shkaktuar nga gratë perfide, primitive dhe sidomos të shëmtuara, që fshihen pas do burrave të pushtetit.
Ka femër që ma ka luftuar veç sherri që mua më rri fustani bukur e asaj jo.
Kaq lehtë mund të motivohet urrejtja e një femre, me një cukël.
P.S. Këtë shkrim ia kushtoj Zhaklin Lekatarit, e cila po sulmohet veç pse është e mençur dhe nuk pranon të nënshtrohet./Limit.al