Dialogu Kosovë-Serbi/ Ish-diplomati ‘shuplakë’ Kurtit dhe Vuçiç: Është bërë si lojë ping-pongu! ‘Ohri’ në rrezik

KOSOVË- Ish-zëvendësambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj deklaron se zvarritja e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi pritet të zgjasë, derisa Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja të jenë më të vendosura për shtyrjen përpara të saj. Megjithëse dje u arrit dakordimi për krijimin e Komitetit të përbashkët monitorues, i cili do të monitorojë dhe mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, diplomati Canaj, thotë për KosovaPress se ndonjë destabilizim i mundshëm në veri për shkak të zgjedhjeve të 23 prillit do të çrregullonte dinamikën e dialogut.

Serbia në njërën anë e ka çështjen e Asociacionit si prioritet të të gjitha prioriteteve. Po e shohim se dy palët po e akuzojnë njëra-tjetrën për mos zbatim dhe shpeshherë edhe për shkelje të marrëveshjes. Kjo do të zgjasë edhe më tutje derisa të fillojë njëra palë apo tjetra të zbatojë marrëveshjen. Kësisoj do të ballafaqohemi me një lojë të pingpongut edhe më tutje. Tash varet sa do të jetë e vendosur edhe bashkësia ndërkombëtare që të shtyjë zbatimin e marrëveshjes”, thotë ai.

Vonesat në zbatimin e marrëveshjes, Canaj i ndërlidh me mosbesimin e palëve ndaj njëra-tjetrës. Krahas kësaj, diplomati Canaj, sugjeron kryeministrin Kurti që të përgatisë draft-statutin për formimin e Asociacionit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes do të shtyjë përpara edhe procese të tjera për konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në anën tjetër, Canaj shpreh shqetësimin se zgjedhjet në veri më 23 prill mund të prodhojnë një destabilizim të situatës atje, e cila mund të ndryshojë dinamikën e dialogut.

Nëse e shohim prej anës ligjore, mendoj se duhet të mbahen zgjedhjet. Por duhet të jemi të kujdesshëm që mos të bëjmë politika populiste në emër të asaj sikur që ka ndodhur me çështjen e targave… Destabilizimi do të hapte tema të tjera. Me vet faktin në rast të ndonjë destabilizimi po mendoj se do të hapet tema s’i ta stabilizojmë prapë është ndikim në rrjedhën e marrëveshjes. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe çdo veprim duhet të bëjmë me partnerët tanë strategjikë”, përfundon ai.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të takohen me 2 maj në Bruksel për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes bazë, derisa pritet të nënshkruhet edhe dakordimi për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për marrëveshjen bazë mes tyre, e cila ka ardhur si derivat i planit franko-gjerman për dialogun. Pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar sërish për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Mirëpo, një muaj pas arritjes së marrëveshjes ende nuk ka filluar diçka në terren për implementimin e saj./KP-Limit.al