Hematuria është prania e gjakut në urinë ose më saktë prania e rruazave të kuqe të gjakut. Ajo ndahet në mikrohematuri, kur prania e rruazave të kuqe të gjakut dallohet vetëm me anë të mikroskopit (analiza e sedimentit urinar) dhe makrohematuri kur gjaku shikohet me sy të lirë. Ngjyra që ne shikojmë mund të ndryshojë nga një rozë e lehtë apo disa filamente të vogla, e kuqe e fortë deri në një ngjyrë të errët që vjen si pasojë e oksidimit të gjakut, gjë që tregon një hemorragji “të vjetër”.
Cilat janë shkaqet e gjakut në urinë?
Kur flasim për hematuri, burimi i gjakut mund të vijë nga çdo pjesë e sistemit urinar duke filluar nga veshkat, ureteret, fshikëza e urinës, prostata tek meshkujt dhe në fund uretra. Te gratë ështe e rëndësishme të dallojmë se mos ngjyrosja e urinës vjen nga një gjakderdhje e mitrës-kanalit vaginal apo nga një gërvishtje lezion i mukozave gjenitale.
Te të rriturit shkaqet më të shpeshta të gjakut në urinë janë:
- Infeksionet urinare: sidomos te gratë në moshë të re. Zakonisht shoqërohen me simptoma të tjera irrituese si djegie dhe dhimbje gjatë urinimit, urinim i shpeshtë me një ndjesi të vazhdueshme për të urinuar edhe pse kemi zbrazur fshikëzën pak minuta më përpara. Rallë herë dhe sidomos kur infeksioni fillon nga veshkat (pielonefrit) mund të kemi dhe temperaturë të lartë.
- Prostatitet (inflamacion/infeksion i prostatës): shumë të shpeshta te meshkujt pavarësisht moshës. Edhe në këto raste kemi shenja irrituese dhe sidomos vështirësi për të urinuar.
- Kalkulozat (gurët) urinare: kur gurët e veshkave shkëputen dhe lëvizin gjatë rrugëve urinare mund të gërvishin mukozat dhe shkaktojnë hematuri. Në këto raste është e vështire që të mos kemi edhe atë që quhet Kolika renale, një dhembje e fortë e mesit karakteristike. Rallë herë gurët mund të kalojnë pa dhembje apo me shenja të lehta ose thjesht me shenja urinare irrituese tranzitore.
- Tumoret urinare: kur shohim gjak (sidomos kur dallohet me sy të lirë) aty ku nuk duhet të ndodhet dhe që nuk varet nga një traumë, shqetësimi kryesor i pacientëve është (me të drejtë) ankthi i një tumori.
Një ngjyrë e kuqe e urinës mund të ndodhë edhe nga shkaqe të tjera si:
- Prania e hemoglobinës (proteinë me gjyrë të kuqe që gjendet brenda rruazave të kuqe të gjakut) apo mioglobinës (proteinë me ngjyrë të kuqe që gjendet në qelizat muskulare dhe shërben për t’u lidhur me oksigjenin e gjakut).
- Prania e bilirubinës, një lëndë me ngjyrë të verdhë në portokalli që prodhohet pas shpërbërjes së rruazave të kuqe të gjakut, tashmë të vjetëruara.
- Porfiria (sëmundje të rralla dhe të trashëgueshme që vijnë nga një difekt në sintezën e një pjese të hemoglobinës (Hb), e quajtur grupi ‘eme’).
- Konsumi i ushqimeve si p.sh. rrepat e kuqe apo ngjyruesit e tjerë ushqimorë.
- Marrja e medikamente të ndryshme, si p.sh antibiotikët./heda.al /Limit.al