Tirana merr arratinë, Laçi mposht Partizanin, VAR i mohon fitoren Kukësit ndaj Vllaznisë

Tirana merr arratinë në krye të Superligës shqiptare, pasi mposhti me përmbysje Egnatian me rezultatin 2-1. Bardheblutë tashmë e shohin veten në krye të klasifikimitm me 53 pikë, 5 më shumë se rivalët e përjetshëm të Partizanit, që renditen të dytët me 48 pikë. Kristal Abazaj ishte heroi i skuadrës kryeqytetase, i cili shënoi dopietë dhe i dha triumfin ekipit të tij.

Rrogozhinasit e nisën sfidën mjaft mirë, duke kaluar të parët në avantazh, në minutën e 22-të me Kasën.

Ky gol i pësuar ishte si një dush i ftohtë për Tiranën, të cilët zgjohen dhe reagojnë menjëherë.

Në minutën e 37-të, Kristal Abazaj shënon golin e parë me fanellën bardheblu, i cili pas një aksioni të shpejtë nga e djathta, lëshon një goditje të fortë drejt portës dhe mposht Alen Sherrin.

Pjesa e parë u mbyll në baraspeshë 1-1.

Në të dytën, të besuarit e Orges Shehit përmbysin gjithçka në minutën e 57-të. Sërish një kundërsulm i shpejtë nga ana e lojtarëve bardheblu i nisur nga Aleksi, me Lushkjen i cili shfaqet para portës dhe në fund pason te Abazaj, që shtyn topin drejt rrjetës.

Në fund sfida përfundon 2-1 për Tiranën dhe në ‘Elbasan Arena’ shpërthen festa për këtë triumf të arritur, që i afron bardheblutë më pranë titullit kampion.

Partizani bie në Laç. Demat e kuq u mposhtën 3-2 nga vendasit, në një sfidë tepër emocionuese dhe që dhuroi spektakël në fushën e lojës.

Të parët që kaluan në avantazh ishin kryeqytetasit, të cilët gjetën rrjetën nga një penallti, e shndërruar në gol nga Da Silva në minutën e 39-të.

Pas 4 minutash ishte Guindo që rivendosi baraspeshën. Pjesa e dytë nisi me gol për kurbinasit, me Shkurtajn që nuk gaboi përballë Rexhepit në minutën e 48-të. Në të 79-ën, Guindo shënoi golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal.

Goli i minutës së 88-të nga Mba, vleu vetëm sa për statistikë për Partizanin.

Ndërkohë, Kukësi dhe Vllaznia ndajnë nga 1 pikë, në ndeshjen për llogari të javës së 29-të të Kategorisë Superiore.

Sfida e zhvilluar në ‘Kukës Arena’ u mbyll me rrjetat e paprekura, por rastet për shënim nuk munguan nga të dyja skuadrat.

Skuadrës së Rrahman Hallaçit iu anuluan edhe 2 gola, duke i mohuar suksesin verilindorëve./Limit.al