14 Maji “Dita e Gjykimit”!

Nga Ermal Peçi

Disa ditë kanë ngelur nga nisja e fushatës zyrtare për zgjedhjet bashkiake në Shqipëri. 14 prilli do hapë zyrtarisht fushatën, e cila do të tregojë shumë për të ardhmen politike në vend. Shqipëria ndodhet për herë të parë në një situatë, e cila opozita është plotësisht e fragmentarizuar dhe në anëm tjetër Partia Socialiste zotëron gjithë pushtetin. Në ambientet politike flitet për emra të tjerë “non grata” nga kampi i opozitës dhe nga mazhoranca, flitet për pranga që do t`u vihen funksionarëve të lartë politikë.

Partia Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeaj, në anën tjetër si përfaqësuese më e madhe në kampin opozitar nga frika e mos mbajtjes së peshës së humbjes së 14 majit zgjodhi të hyjë në zgjedhje me 14 kandidatë sepse dhe një pjesë ju tërhoq rrugës.

E pa kuptimtë, por në politikë ka momente që nuk duhet të analizosh, por vetëm të shikosh se çfarë luhet nën tryezën e pazareve. Shterpësinë mediatike të deputetëve të Alibeajt po e zënë deputetët dhe përkrahësit e Berishës.

Berisha vetë po lëviz në çdo cep të Shqipërisë për të maksimizuar votën e opozitës. Bashkë me Ilir Metën prej muajsh janë në terren ku kërkojnë të faktorizojnë veten në një situatë të cilën as ata vetë me pushtetin 30 vjeçar që kanë mbi supe nuk e kishin menduar ndonjëherë që do gjendeshin ndonjëherë përballë kësaj situate.

Një situatë e cila po kulmon më shumë se prej 1 viti në përplasjet e forta dhe akuzat politike mbi ambasadoren Amerikane Yuri Kim dhe kompromentim e saj. Në anën tjetër sondazhet flasin qartë dhe janë në favaor të Edi Ramës, të cilët e tregojnë fitues, por edhe të sigurt drejt 2025.

Strategjikisht Rama ka kthyer vemendjen në dy sektorë, të cilët kanë një potencial të madh zhvillimi si turizmi dhe bujqësia. Sektorë, të cilët ndërveprojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të cilat rivitalizojnë zonat rurale, të cilat fatkeqësisht janë të braktisura. Politika të cilat përtej narrativës që Rama e zotëron, i japin një fushë ekstra për të pasur argumente në debatin politik që do rikthehet sapo të nisë fushata.

Edi Rama vetëm para disa ditësh me vendin qeverie shpalli rritjen e rrogave dhe një program, i cili rrogën mesatare do ta çojë në 900 euro. Disa profesioneve si zjarrëfikës, infermierë dhe mësues do t`i rritej mënjëherë ndërsa profesioneve të tjera në fund të mandatit 2025. Kjo është panorama me të cilën tashmë po përballen kampet politike në Shqipëri, por jo vetëm kjo do të jetë një betejë që do të vendosë shumë mbi dyshen politike Berisha-Meta sepse 14 maji do të thotë shumë për të ardhmen politike të kësaj dysheje, e sidomos Sali Berishën. 14 maji do të jetë “Dita e Gjykimit”, jo vetëm për Berishën, por për gjithë kampin opozitar dhe pjesën që mbështet Alibeajn. Kjo ditë do të flasë për të ardhmen e Shqipërisë mbi të gjitha./Dritare.net