Tirana rikthehet në krye të Superligës, Partizani “ngec” në Rrogozhinë

Tirana e nis në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e katërt të Superligës shqiptare, duke mposhtur Kukësin me rezultatin 2-1. Bardheblutë njëkohësisht u rikthyen në krye të renditjes së kategorisë superiore, duke përfituar dhe nga hapi fals i Partizanit në Rrogozhinë, ndaj Egnatias. Në Elbasan Arena u zhvillua një ndeshje e luftuar, me të dyja skuadrat që kujdeseshin për të mos pësuar. Rastet për shënim ishin me pikatore në pjesën e parë, me kryeqytetasit që u treguan më cinik, duke gjetur golin e avantazhit, në minutën e 42-të me Hilën.

Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0.

Në fraksionin e dytë të lojës Kukësi reagoi dhe u hodh në sulm, për gjetjen e golit të barazimit. Verilindorët arritën të vendosin baraspeshën vetëm 6 minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Rashiti mposhti Visar Bekajn me një goditje perfekte me kokë, pas zhvillimit të një goditjeje dënimi.

Me kalimin e minutave, Tirana u kthye përsëri në kontroll të sfidës dhe zhvendosi lojën në gjysmë-fushën kundërshtare. Në minutën e 86-të skuadra e Orges Shehit fitoi një 11-metërsh, pas një prekjeje të topit me dorë nga Barbosa.

Florent Hasani merr përsipër goditjen e penalltisë dhe nga pika e bardhë nuk gabon, duke e çuar topin në fundin e rrjetës.

Në kampin bardheblu shpërthen festa, ndërkohë që me këtë triumf Tirana ngjitet e vetme në krye me 50 pikë.

Më herët, Partizani gaboi në Rrogozhinë, duke lëshuar kryesimin e kampionatit. Skuadra e Colella-s u ndal në një barazim 1-1, në një ndeshje tepër emocionuese. ‘Demat’ e nisën mjaft mire sfidën, duke gjetur rrugën e rrjetës me Cristian Mba në minutën e 22-të. Të besuarit e Edlir Tetovës rivendosën baraspeshën në fundin e pjesës së parë, por VAR-i e anuloi për një pozicion të parregullt. Egnatiu nuk u dorëzua dhe gjeti barazimin në limite, kur Zejnullai mposhti portierin Rexhepi në minutën e 91-të./Limit.al