E njohim si një “koketë”, por askush nuk e di historinë e errët të Lolitës

Emri “Lolita” është pjesë e kulturës bashkëkohore si emër për një vajzë të re seksualisht aktive që tërhiqet nga burrat e moshuar. Megjithatë, pak njerëz e dinë se ky emër, i cili sot ka një konotacion negativ, vjen nga romani më i famshëm i shekullit të 20-të nga Vladimir Nobakov. Ajo që është interesante është se Nobakov tregoi një histori reale, që flet për rrëmbimin e Sally Horner në vitin 1948.

Sally ishte vetëm 11 vjeç kur miqtë e saj të shkollës e bindën të vidhte një fletore (në atë kohë kushtonte rreth pesë cent) nga një dyqan lokal në qytetin e saj të lindjes, Camden, New Jersey. Zinxhiri i ngjarjeve që pasuan është shumë më i tmerrshëm.

Ngjarja

Një burrë iu afrua Sallit teksa ajo mbante fletoren e vjedhur, duke i thënë se ai ishte agjent i FBI-së dhe se e kishte parë në momentin e krimit dhe se ajo ishte në telashe. Në realitet, burri ishte Frank Lassalle, një përdhunues. Ai shpiku një histori për të qenë pjesë e ligjit për ta trembur atë dhe vajza nuk kishte arsye të dyshonte në fjalët e tij. E la të ikte, por jo për shumë kohë.

Sally ishte me fat sepse i shpëtoi arrestimit. Ajo nuk donte të shqetësonte nënën e saj të ve apo motrën e saj më të madhe që ishte shtatzënë. Ajo nuk donte të ishte një problem shtesë për familjen e saj dhe ishte e emocionuar që së shpejti do të bëhej teze. Por ndërsa Sally ishte e bindur se incidenti ishte harruar, Lasalle po hartonte plane të liga. Ai mësoi se në cilën shkollë ndoqi dhe një muaj pas vjedhjes e priti jashtë.

Lassalle i tha Sally se ajo duhej të shkonte me të në Atlantic City me urdhër të qeverisë. Ai gjithashtu e udhëzoi atë t’i tregonte familjes se ishte babai i shokut të saj të shkollës dhe se ajo do t’i bashkohej familjes së tij gjatë pushimeve në det. E ëma e lejoi, e bindur se e bija do t’i shijonte pushimet pasi nuk kishte mundësi t’i përballonte vetë dhe duke mos ditur që sapo ia kishte dorëzuar vajzën një pedofili 50-vjeçar. Frank u lirua nga burgu vetëm gjashtë muaj përpara se të vinte në shënjestër Sally, dhe u dënua për përdhunimin e një të miture.

Në javët e para, Sally takohej rregullisht me nënën e saj, duke i treguar se si po kalonte në “pushime”. Më pas në fund të korrikut ajo i dërgoi një mesazh duke e informuar se do të shkonin në Baltimore dhe se nuk do t’i shkruante më. Nëna e saj më në fund e kuptoi se diçka nuk shkonte. Ajo thirri policinë, e cila kontrolloi menjëherë adresën në Atlantic City nga kishte ardhur letra. Nuk kishte njeri atje, por dëshmitarët thanë se një burrë dhe vajza e tij jetonin atje deri vonë.

Për dy vitet e ardhshme, Sally ishte viktima e Lasalle: ai abuzoi me të dhe ishte e pamundur t’i gjurmonin, sepse ata ndryshonin vazhdimisht vendbanimin e tyre dhe në të gjithë Amerikën. Në publik, ai sillej si babai i saj, sikur bënte punë të ndryshme, duke marrë me qira shtëpi, e regjistroi në shkolla, madje i mori një qen.

Psikologët besojnë se arsyeja se përse Sally nuk fliste ishte për shkak se ajo ishte e tmerruar, e hutuar ose e turpëruar dhe nuk dinte se kujt t’i besonte më.

Gjërat ndryshuan në vitin 1950, kur një fqinj në San Jose, Kaliforni, ku Sally jetonte në atë kohë, vuri re se diçka nuk shkonte me vajzën e vogël. Ndërsa Lassalle shkoi një ditë për të kërkuar punë, Sally i tha gruas në fjalë gjithçka, duke i kërkuar asaj të bënte një telefonatë. Ajo arriti të kapte burrin e motrës së saj, i cili lajmëroi menjëherë FBI-në. Agonia kishte marrë fund – kur Lassalle u kthye në shtëpi, autoritetet e morën atë.

Vajza adoleshente ka treguar se ai e ka mbajtur rob dhe e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale. Lasalle pretendoi gjatë gjyqit se kjo ishte një gënjeshtër dhe se ai ishte babai i Sally; përfundimisht u shpall fajtor dhe u dënua me 30 deri në 35 vjet burg.

Ajo që është veçanërisht tronditëse për këtë histori të vërtetë është se si përfundoi gjithçka për Sally. Pasi shpëtoi nga kthetrat e pedofilit, vetëm dy vjet më vonë ajo vdiq në një aksident automobilistik. E gjithë fëmijëria iu vodh, së pari nga e keqja e një njeriu, e më pas nga një kthesë mizore e fatit./iconstyle