Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e gjigantit mediatik Euronews International, i cili e shpall Shqipërinë shtet i gjelbër për muajin mars.

“Shqipëria shpallet shteti i gjelbër për muajin mars, sipas gjigantit mediatik Euronews International, i cili i dedikon këtë artikull të gjitha nismave të guximshme që qeveria jonë ka çuar përpara me pasion e këmbëngulje; që nga vendimi i fundit i shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, ndalimi i qeseve plastike njëpërdorimëshe, zgjerimi i sipërfaqes së zonave të mbrojtura, si edhe angazhimet në arenën ndërkombëtare për mjedisin e klimën, ku Shqipëria sigurisht që s’mund ta ndryshojë botën e madhe por po spikat me histori të bukura suksesi”, u shpreh Rama.

Euronews vlerëson ndër të tjera se, Shqipëria mbrojti një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë.

Po ashtu, në shkrim vihet në dukje se, prodhimi i energjisë në Shqipëri është tashmë 100 për qind i rinovueshëm, por vendi po punon për të diversifikuar burimet e tij, pasi mbështetja tek uji është shumë e varur nga klima.