Publikohet klipi zyrtar i këngës “Duje” e Albinës dhe familjes Kelmendi që do përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2023.
“Duje” mori zemrat e publikut për mesazhin që përcjell, ku kënga flet për ndarjen e anëtarëve të familjes dhe i bën jehonë bashkimit të tyre.
Edhe në klipin zyrtar, fabula është ndërtuar pikërisht mbi konceptin e familjes dhe ruajtjes së marrëdhënieve mes vëllezërve e motrave, apo prindërve dhe bijve.
Albina dhe familja Kelmendi u shpallën fitues të edicionit të 61-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar për të përfaqësuar shqiptarët në Eurovision Song Contest 2023 në Liverpool, Mbretërinë e Bashkuar në datat 9, 11 dhe 13 maj.
Shqipëria do të këndojë natën e dytë të gjysmëfinales, 11 maj, ndërsa performanca do të jetë e 9-ta në radhë.
Në këtë videoklip mund të njiheni me këngën e ripërpunuar në gjuhën shqipe e cila është bërë në njërën prej studiove më të mëdha, Babajim në Turqi.