Koreja e Veriut shtrëngon masat: Prindërit që i lejojnë fëmijët të shohin filma të huaj do të dënohen me burg

Prindërit në Korenë e Veriut, që i lejojnë fëmijët të shohin filma të Hollyëood-it do të burgosen, sipas mediave të huaja.

Këto masa ekstreme vijnë në vazhdën e politikës strikte të vendit diktatorial ndaj prodhimeve filmike apo mediatike që vijnë nga jashtë. Edhe pse në të shkuarën, prindërit mund t’ia hidhnin në këto raste me një paralajmërim serioz nëse fëmijët e tyre shihnin filma të huaj, tashmë masat janë rreptësuar.

Pyongyang i ka përshkallëzuar përpjekjet për të ndaluar çdo lloj filmi të huaj nga vendi i Azisë Lindore. Më konkretisht, ata do të dërgohen në kampe pune për gjashtë muaj. Kurse, fëmijët e tyre do duhet të shërbejnë për pesë vite.

Po ashtu, raportohet se qytetarët që do të kapen duke folur, kërcyer apo duke kënduar si koreano-jugorët, do të shërbejnë gjithashtu gjashtë muaj, ndërsa prindërit e tyre do të kenë një fat  të ngjashëm.

Mediat e huaja, veçanërisht çdo gjë që konsiderohet si “perëndimore”, është rreptësisht e ndaluar në Korenë e Veriut, vendin diktatorial që i “shpëlan” trurin qytetarëve të saj për të siguruar mbështetje për regjimin në pushtet.

Kampet e punës së detyruar të Koresë së Veriut janë vende jashtëzakonisht të zymta, ku të burgosurit duhet të kryejnë punë rraskapitëse dhe nganjëherë të rrezikshme me mjete primitive në ferma dhe miniera.

Ushqimi është me racione, duke i lënë shumicën e të burgosurve në prag të urisë.