“Lufta në Ukrainë na ka kushtuar tashmë 100 miliardë euro”

Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike pret që lufta në Ukrainë të çojë në rritje të mëtejshme të kostove dhe rënie të mëdha të rritjes ekonomike. Edhe Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë ka përfundime si këto.

“Lufta në Ukrainë dhe shpërthimi i kostos së energjisë që pasoi si rrjedhojë i ka kushtuar Gjermanisë pothuajse 2.5 për qind ose 100 miliardë euro në performancën ekonomike në vitin 2022. Këto kosto do të vazhdojnë të rriten në vitet në vijim,” tha presidenti i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), Marcel Fratzscher për gazetën Rheinische Post.

“Gjermania është më e prekur ekonomikisht nga kriza, sepse ishte më e varur nga energjia ruse, ka një përqindje të lartë të industrive me energji intensive dhe është jashtëzakonisht e varur nga eksportet dhe zinxhirët e furnizimit global,” shpjegoi presidenti i DIW.

‘E dhimbshme, por e nevojshme’

Dëmtimi për Gjermaninë si zonë biznesi nuk ka ndodhur ende, por do të ndodhë nëse kompanitë nuk përshpejtojnë transformimin ekologjik, ekonomik dhe digjital, vazhdoi Fratzscher. Sipas Fratzscher-it, çmimet më të larta të energjisë do të mbeten një disavantazh i dukshëm konkurrues për dhjetë vitet e ardhshme, të cilin politika dhe biznesi duhet ta kompensojnë me më shumë inovacion dhe produktivitet.

Qeveria gjermane në asnjë rast nuk duhet “të vazhdojë në rrugën e subvencioneve masive për lëndët djegëse fosile”, deklaroi ekonomisti nga Berlini. “Shoku i çmimit të energjisë është si rrjedhim një alarm i dhimbshëm, por i nevojshëm, që shpresojmë se do të bëjë që ekonomia të transformohet më shpejt.”

Një rënie masive e mirëqënies

Një vit pas fillimit të luftës ruse të agresionit kundër Ukrainës, Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHK) foli gjithashtu për një rënie të mirëqënies në Gjermani. Në total, deri në fund të vitit 2023 pritet të humbasë rreth katër për qind e prodhimit të brendshëm bruto të Gjermanisë nga fillimi i luftës. Kjo do të ishte rreth 160 miliardë euro më pak, ose rreth 2000 euro për frymë, i tha presidenti i DIHK Peter Adrian në Rheinische Post.