Një akuarium gjigant, i vendosur në një hotel në qendër të Berlinit shpërtheu të premten duke shkaktuar derdhjen e ujit, 1 milionë litra, si dhe të qindra peshqve tropikalë. Nga shpërthimi në qendrën turistike AquaDom, në zemër të kryeqytetit gjerman dy persona mbetën të plagosur.
Akuariumi 25 metra i gjatë, ishte akuariumi cilindrik më i madh në botë dhe mbante mijëra peshq tropikalë. Fillimisht pati spekulime se shpërthimi ndodhi si pasojë e temperaturave tejet të ulëta që gjatë natës arritën në minus 10 gradë celsius.
Kryebashkiakja e Berlinit, Franziska Giffey tha se nuk u arrit të shpëtohej asnjë prej 1500 peshqve në akurium. Sipas saj dëmet mund të kishin qenë më të mëdha, pasi akuariumi ndodhet brenda një hoteli dhe ndërtesa ka gjithashtu edhe kafene dhe dyqane. Policia tha se rreth 300 persona u evakuuan nga hoteli pas ngjarjes.
Akuariumi u rikonstruktua dy vjet më parë dhe kishte një ashensor me mure xhami të ndërtuara brenda tij duke qenë mjaft tërheqës për vizitorët. Iva Yudinski, tha se ishte e tronditur nga incidenti. “Dje u mrekulluam nga bukuria e tij, por sot gjithçka u shkatërrua”, tha ajo.