Qeveria gjermane pritet të vendosë një taksë të re mbi pijet e ëmbëlsuara me sheqer, e cila sipas parashikimeve mund të sjellë rreth 650 milionë euro të ardhura shtesë gjatë vitit të ardhshëm.

Ministrja gjermane e Shëndetësisë, Nina Warken (CDU), ka deklaruar për rrjetin editorial gjerman Redaktionsnetzwerk Deutschland (RND) se masa synon jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe nxitjen e reduktimit të konsumit të sheqerit në popullatë.

Sipas propozimit të komisionit të ngritur nga qeveria, taksa do të jetë e shkallëzuar në varësi të sasisë së sheqerit që përmbajnë pijet. Produktet me më shumë se 5 gramë sheqer për 100 mililitra do të taksohen me rreth 26 cent për litër, ndërsa ato që kalojnë 8 gramë sheqer për 100 mililitra do të kenë një tarifë prej 32 cent për litër.

Të ardhurat e siguruara nga kjo masë pritet t’u kalojnë fondeve publike të sigurimit shëndetësor. Sipas ministres Warken, kjo është pjesë e një pakete masash që synon të përmirësojë financat e sistemit shëndetësor.

“Paketa e kursimeve parashikon që sigurimi shëndetësor të marrë më shumë mjete nga taksat. Detajet do t’i përcaktojmë së bashku me Ministrinë e Financave”, deklaroi ministrja.

Vendosja e taksës mbi sheqerin është diskutuar prej vitesh në Gjermani dhe tashmë është përfshirë në 66 rekomandimet e një komisioni ekspertësh për stabilizimin financiar të sigurimeve shëndetësore publike.

Përveç të ardhurave direkte, ekspertët vlerësojnë se kjo masë mund të sjellë kursime afatgjata për sistemin shëndetësor, duke ulur rrezikun e sëmundjeve që lidhen me konsumin e lartë të sheqerit, veçanërisht diabetin.

Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, kanë aplikuar më herët taksa të ngjashme për pijet me përmbajtje të lartë sheqeri.

Deri tani, Gjermania është mbështetur kryesisht te angazhimi vullnetar i industrisë për reduktimin e sheqerit në produkte dhe te ndërgjegjësimi i konsumatorëve për zgjedhje më të shëndetshme.