Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje të sot partnerëve evropianë që të angazhohen në një bashkëpunim më të ngushtë për prodhimin dhe blerjen e pajisjeve të mbrojtjes, gjatë një vizite në Letoni, në ditën e fundit të turneut të tij në vendet baltike.

“Duhet të investojmë më shumë në industrinë e mbrojtjes”, tha Steinmeier në një konferencë për shtyp, së bashku me homologun e tij letonez, Edgars Rinkevics.

Steinmeier theksoi se pushtimi rus ka treguar se nevojiten më shumë kapacitete, përfshirë edhe në vendet baltike.

Nga ana e tij, Rinkevics tha se Letonia po kërkonte mënyra për të ngritur fabrika për prodhimin e pajisjeve dhe municioneve të mbrojtjes.

Ai i quajti marrëdhëniet mes Berlinit dhe Rigës “të shkëlqyera.”

“Letonia e sheh Gjermaninë si një aleate të rëndësishme të NATO-s – për të garantuar sigurinë në Detin Baltik dhe si partnere brenda BE-së,” tha Rinkevics, duke përmendur njësinë e një brigade të blinduar gjermane në Lituaninë fqinje – si një mbështetje për sigurinë rajonale.

Të dy liderët vizituan gjithashtu, anijen luftarake gjermane “Braunschweig”, e Marinës Gjermane e ankoruar pranë pallatit presidencial, në Rigë.

Anija merr pjesë në një mision të NATO-s të quajtur “Baltic Sentry”, që synon përmirësimin e sigurisë në rajonin e Detit Baltik.