Pavarësisht tensioneve të orëve të para, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Donald Trump mes Izraelit dhe Iranit po respektohet nga të dyja palët. Në ditën e dytë, qytetarët në Tel Aviv ndihen disi të çliruar pas 12 ditëve të tmerrit që përjetuan me raketat që u fluturonin mbi kokë, atëherë kur nuk e prisnin.
“Mendoj që pjesë e armëpushimit me Iranin të ishte edhe Gaza, pasi gjithçka është e lidhur, por nuk e di se ç’ndodh prapa dyerve të mbyllura, prandaj shpresojmë për më të mirën”.
Shkollat dhe institucionet e tjera publike u rihapën në gjithë vendin. Situata duket e qetë edhe në Teheran, ku bombardimet izraelite kanë lënë pasoja.
“Këtu pjesa më e madhe e shtëpisë është shkatërruar. Ne nuk kishim lidhje me konfliktin, me politikën apo me ushtrinë, jemi qytetarë të thjeshtë”.
Pas 12 ditëve konflikt, parlamenti në Teheran votoi për tërheqjen e vendit nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, e vetmja dritare monitorimi ndërkombëtar mbi zhvillimin e këtij programi nga Irani.
















