Ministria e Jashtme gjermane ka konfirmuar se vazhdojnë të mbështesin trashëgiminë e lënë nga ish-kancelari Scholz lidhur me procesin e normalizimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gazeta “Express” në Kosovë shkruan se pak javë pas krijimit të Qeverisë së re, në Berlin ka qëndruar emisari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, danezi Peter Sorensen, i cili është takuar me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Geza Andras von Geyr, dhe këshilltarin për politikë të jashtme të kancelarit Merz, Gunter Sautter.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka thënë se Berlini zyrtar e përkrah emisarin Sorensen në punën e tij dhe se bën thirrje për të dy palët, Kosovën dhe Serbinë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur mospajtimet dhe që të implementojnë Marrëveshjen e Ohrit.

“Bashkë me partnerët tanë, ne jemi të përkushtuar për të vazhduar dhe intensifikuar dialogun. Dialogu i lehtësuar nga BE është e vetmja rruga e qëndrueshme për një paqe afatgjate dhe stabilitet në rajon.

Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Emisarit Special të BE-së, Peter Sorensen, dhe vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje të dy palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedime për të zgjidhur mospajtimet. Ne iu bëjmë thirrje të dy palëve, që të implementojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i MPJ-së së Gjermanisë.

Nga Berlini kanë kujtuar përfitimet që kanë ardhur si rezultat i bisedimeve, përfshirë çështjen e targave dhe punën e  energjisë elektrike në veri të Kosovës.

“Dialogu ka sjellë përparim në një sërë çështjesh të diskutueshme gjatë viteve të fundit, për shembull në mosmarrëveshjen e energjisë për furnizimin me energji elektrike në veri ose në njohjen e targave të automjeteve. Ne gjithashtu po shtyjmë për zgjidhje pragmatike dhe rritje të bashkëpunimit rajonal në Procesin e Berlinit, i cili do të ndikojë pozitivisht edhe në Kosovë dhe Serbi në rajon”, ka përfunduar ai.