Teksa kryesoi Forumin për mbrojtjen “Dialogu Shangri-La” në Singapor, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, paralajmëroi se kërcënimi i Kinës është real dhe potencialisht i afërt.

“Pekini po përgatitet për të përdorur forcën ushtarake për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në Indo-Paqësor. Presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë e tij të pushtojë Tajvanin deri në vitin 2027. Çdo përpjekje e Kinës komuniste për të pushtuar Tajvanin me forcë do të rezultonte në pasoja shkatërruese për Indo-Paqësorin dhe botën”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes përsëriti vërejtjen e Trump se Kina nuk do ta pushtonte Tajvanin nën administratën e Trump.

Hegseth i siguroi aleatët e Uashingtonit në rajonin Indo-Paqësor se ata nuk do të braktiseshin për t’u përballur me presionet në rritje ushtarake dhe ekonomike nga Pekini.

Ai u bëri thirrje aleatëve aziatikë të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

“Anëtarët e NATO-s po zotohen të shpenzojnë 5% të PBB-së së tyre për mbrojtje, madje edhe Gjermania, ndërsa aleatët kryesorë në Azi shpenzojnë më pak për mbrojtje përballë një kërcënimi edhe më të frikshëm, për të mos përmendur Korenë e Veriut”.

Hegseth kritikoi gjithashtu Kinën për përpjekjet e saj për të rritur ndikimin e saj rreth Kanalit të Panamasë.

Delegacioni kinez, perfaqësohej në forum nga oficerë të nivelit më të ulët nga Universiteti Kombëtar i Mbrojtjes.

Dialogu Shangri-La, i cili tërheq zyrtarë të lartë të mbrojtjes, oficerë të lartë ushtarakë, diplomatë, prodhues armësh dhe analistë të sigurisë nga e gjithë bota, do të mbyllet të dielën e 1 Qershorit në Singapor.