NAIROBI – Disa pjesë të parlamentit të Kenias u dogjën të martën ndërkohë që mijëra banorë, që po protestonin kundër një ligji të ri mbi financat, hynë me forcë në godinë, duke detyruar ligjvënësit të iknin.
Ky është sulmi i parë ndaj qeverisë pas shumë dekadash. Gazetarët panë të paktën tre të vdekur në afërsi të kompleksit ku policia shtiu me armë zjarri.
Protestuesit kërkonin nga ligjvënësit të votonin kundër një ligji të diskutueshëm që do të vendoste taksa të reja. Në Kenia ka disa vite që pakënaqësia zien për shkak të rritjes së kostos së jetesës.
Protestuesit çanë barrikadat e policisë dhe u futën në parlament pak kohë pasi ligjvënësit miratuan ligjin. Ligjvënësit u larguan përmes një tuneli, ndërsa ligjvënës të opozitës, që votuan kundër ligjit, u lejuan nga protestuesit të dilnin të qetë nga ndërtesa e rrethuar.
Zyrës së guvernatorit të Nairobit, anëtar i partisë në pushtet, po ashtu i është vënë zjarri.
Protestuesit brohoritnin “Do të ndjekim çdo politikan”.
Policia hapi zjarr dhe hodhi gaz lotsjellës ndaj protestuesve, të cilët kërkuan ndihmë mjekësore në një tendë pranë një kishe në afërsi të kompleksit parlamentar.
Komisioni i Kenias për të Drejtat e Njeriut shpërndau një video-regjistrim ku policët shihen duke shtënë në drejtim të protestuesve. Organizata tha se do të kërkojë përgjegjësi nga autoritetet.
Dy persona u vranë në protesta të ngjashme javën e kaluar.
Presidentja e Shoqatës së Juristëve të Kenias, Faith Odhiambo njoftoi të martën se rreth 50 pjesëtarë të shoqatës, përfshirë ndihmësen e saj personale, janë “rrëmbyer” nga pjesëtarë të policisë, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.
Disa nga të rrëmbyerit ishin pjesëtarë të zëshëm të demonstratave dhe u morën nga shtëpitë e tyre, vendet e punës dhe vende publike pak para protestës së të martës, sipas organizatave të shoqërisë civile.
Policia nuk dha një përgjigje rreth këtyre akuzave, ndërkohë që kryetari i parlamentit Moses Wetangula urdhëroi inspektorin e përgjithshëm të policisë të japë informacion për vendndodhjen e atyre që opozita thonë se janë rrëmbyer.
Presidenti i Kenias William Ruto nuk është në Nairobi dhe po merr pjesë në një takim të Bashkimit Afrikan. Ai tha të dielën se është krenar me të rinjtë që po ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe se do të bisedojë me ta për shqetësimet e gjeneratës së tyre.