IDRIZ ZEQIRAJ

     Deklarata e ambasadorit amerikan, në Beograd, Cristopher Hill se “Serbia është më afër NATO-s, se sa Kosova”,  – është shokuese për shqiptarët. Aq më shumë, kur secila administratë e presidentëve amerikanë, e përsëritë slloganin se “çdo ambasador në botë, përfaqëson Amerikën dhe Presidentin e saj”. Andaj, deklarata në fjalë, nuk lënë shpresë ngushëllimi, se fundja, është një opinion i shprehur nga një zyrtar i lartë. Hill është kthyer nga pensionimi, qëllimshëm, për t`u emëruar ambasador në Beograd, pikërisht nga Presidenti Biden.

     Analizuar vëmendshëm, kjo deklaratë është, skajshëm, jo reale, për të mos thënë hiç logjike, kur dihet mendimi mohues, përçmues e shpërfillës i Serbisë ndaj Perëndimit, në përgjithësi, dhe të NATO-s, në veçanti! SHBA, me aleatët, veç çlirimit faktik të Kosovës, edhe pas luftës, trajnojnë, përgadisin të gjitha strukturat ushtarake aktuale të FSK-së, për të qenë të gatshme në formimin e ushtrisë moderne, në një të ardhme të afërt.

     Qysh nga letra e Inforbyrosë të Stalinit, kundër Partisë Komuniste të Jugosllaveisë, më 1948, Presidenti Tito bëri aleancën e fshehtë me Amerikën, kryesisht, atë ushtarake. Dhe, kjo aleancë kurrë nuk është ndërprerë. Serbia, si pretenduese e trashëgimisë të ish-Jugosllavisë, vazhdon ta ruaj partneritetin e tej shtatë dekadave më parë me SHBA-në, respektivisht, NATO-n.

     Ndoshta ambasadori Hill e bënë këtë krahasim, të afrisë parësore të Serbisë me NATO-n, në raport me Kosovën, duke u nisur nga procedurat e trajnimeve dhe të koordinimeve ushtarake, që ka në vijimësi, ushtria serbe me atë amerikane dhe epërsinë e përmbushjes të kushteve ushtarake. Për këtë nuk duhet të xhelozojmë, kur dihet se jemi të pafuqishëm ta ndryshojmë dhe, aq më pak, ta stopojmë këtë partneritet. Realisht, teknikisht, në kushte normale, nisur nga epërsia ushtarake e Serbisë në Ballkan, plotëson kushtet edhe sot, për t`u bërë pjesë e Aleancës Ushtarake të paktit-NATO. Por, politikisht e besnikërisht, mbetet shumë prapa Kosovës. Ose siç thotë Presidentja Vjosë, “vetëm Rusia e Putinit është më larg NATO-s, se sa Serbia e Vuçiqit”.

     Por, është shumë shqetësuese, se për qëllimet strategjike të SHBA-së dhe të BE-së, haraçin po e paguan Kosova. Për ta bërë pjesë të NATO-s dhe për ta ndarë Malin e Zi nga Serbia, Qendrat e Vendosjes, përkatësisht, Quinti, si haraç u përdorën mijëra hektarë tokë të Kosovës. Pra, Kulla e Zhlebit dhe Qafa e Qakorrit, iu dhuruan Malit të Zi. Për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, ndërkombëtarët ngulmuan zbatimin e një vendimi të kriminelit Millosheviq, për t`i dhuruar tokë Manastirit të Deçanit. Ky cinizëm i partnerëve tanë, për të zbatuar një vendim të Millosheviqit, ishte përdhosje e mijëra viktimave të Kosovës, të shkaktuara nga kryekrimineli Millosheviq!

          Shqetësim keqkuptimi me ndërkombëtarët, për mbrojtjen e sovranitetit!

      Pamëdyshje deklarata e fundit e ambasadorit Hill, është alarm për Kosovën, sepse autori është amerikan dhe kjo është domëthënëse për shqiptarët. Deklarata është thellësisht politike, por hiç diplomatike, dhe është më shumë se sa një – qejf-bërje – Serbisë. Ajo po amnistohet për të gjitha të “bëmat” e saj karshi Kosovës, për të shkuarën dhe të tashmën, përfshi edhe sulmin e përgjakshëm dhe banditesk, kundër ushtarakëve të KFOR-it, deri në amputimin e këmbëve të dy KFOR-istëve hungarezë. Madje, sulmi terrorist, i organizuar nga Beogradi zyrtar, në Banjskë të Zveçanit, me shkelje të sovranitetit shtetëror të Kosovës, duke vrarë një ofiicer policie dhe dy të tjerë të plagosur.

     Dhe, pjesë e këtij krimi u bënë edhe ndërkombëtarët, të cilët, në mënyrë të padrejtë dhe abuzive, në raport me institucionet shtetërore të Kosovës, serbët e Kosovës i trajtuan si viktima, duke përligjur të gjitha kundërshtitë e tyre, madje edhe barrikadimin rrugorë një mujor, në veriun e Mitrovicës, përballë ligjeve të shtetit, deri tek krimet dhe rrugaçëritë e “Lista Serbe”, “Brigada e Veriut” dhe të organizatave tjera kriminale, të dirigjuara nga Beogradi zyrtar.

     Lëshimet dhe ledhatimet, të bëra Serbisë, nga SHBA dhe BE-ja, përmes emisarëve politikë të tyre, po rrezikojnë tkurrjen territoriale, deri në asfiksimin e shtetit të Kosovës, sidomos me të ashtuquajturin Asociacion njëetnik. Ndërkohë që janë po këta ndërkombëtarë, të cilët shkelën Kushtetutën e Kosovës, papërfillur institucoinet e saj, për ta shpallur, gjithësesi, “Kosovën multietnike!”

      Kur shtrohet pyetja se çfarë ka ndikuar që Kosova të jetë më larg se sa Serbia, kur është fjala për hyrjen në NATO, opozita e inkriminuar e Kosovës, respektivisht, partitë-banda: PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, japin një përgjigje sempliste, të thjeshtë: “Fajtor është kryeministri Albin Kurti, me kryeneqësinë dhe padëgjueshmërinë e tij karshi ndërkombëtarëve”. Realisht, kjo nuk qëndron. Opozita majtiste, e zhytur në krimet e luftës dhe të pasluftës, ka frikë vendosjen e rendit dhe të ligjit. Dhe, kjo manifestohet me rezistencën e hapur, që opozita e inkriminuar bënë në  mbrojtjen e kuadrit juridik, të kapar nga PAN-it, sabotimin, deri në bllokim të “Vettingut”, për ta penguar funksionimin e sistemit të drejtësisë.

     SHTAB-i i “Rogner-it” dhe i -Vilave të Bllokut të Zi-“, i kryesuar nga Hashim Thaçi, i venë në shërbim të agjentit të Sigurimit të DGSE franceze, Arnaud Danjean dhe përmes tij edhe të Serbisë, e mbikëqyri vrasjen e një duzinë dhe dëbimin e disa mijëra shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës. Hashimi, duke shkelur mbi kufoma, me ndihmën e drejtëpërdrejtë të Isa Mustafës, pushtoi kulltukun e presidentit të vendit. I shantazhuar me dosjet kriminale, kryesisht, ekzekutimin serik të kundërshtarëve politikë shqiptarë, Vuçiq, me aleatët e tij, i kërkuan Hashimit, me SHTAB-in e tij, ndarjen e Kosovës.

     Hashimi filloi ecejaket në Amerikë, “mrizonte” me ditë e javë, përçau dhe ndau Shoqatën “Vatra”, me gazetën e saj “Dielli”, të Nolit dhe i angazhoi lobistët e njohur shqiptarë atje, për ta lutur presidentin Clinton dhe të tjerë, për ta zhbërë Gjykatën Sppeciale; për t`ia dhënë Serbisë komplet Veriun e Mitrovicës, duke paguar edhe agjenësi lobimi. Atdhetari Arbresh, Jozef Diogardi, me bashkëshortën Chirly, alarmuan kombin se ish-lobistët e zëshëm shqiptarë, harruan Kosovën dhe po merren me hallet e Hashimit! Ndërkohë që lobi serb është aktivizuar për ndarjen e Kosovës, duke u bërë palë me SHTAB-in e “Rogner-it”.

     Ishte lideri i opozitës shqiptare, Prof. Dr. Sali Berisha, me gazetarët atdhetarë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët denoncuan krimin në pritje të ndarjes së Kosovës; Kancelarja Angela Merkel; Drejtësia Amerikane, me kryeprokurorin yll, Xhack Smith, që stopuan Hashim Thaçin me SHTAB-istët e tij, në tradhtinë e madhe të tyre.

     Presidenti Biden, një njohës i mirë i Kosovës dhe vullnetmirë, për ta përfunduar drejt e paanshëm pavarësinë e Kosovës. Konturët e marrëveshjes ishin të qarta: Njohja reciproke në mes të dy shteteve fqinjë. Për çudë, në stafin e Trump dhe Biden, rastisen miq e dhëndurë të Serbisë, ashtu siç është dhëndër i Beogradit, agjenti freng, Arnaud Danjean, shef i Hashimit. Krejt papritur, Shtëpia e Bardhë, nga njohje reciproke, e -zbriti pazarin- me Serbinë, në normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve në konflikt! Mendoj se këtu duhej Kosova ta ndërpriste dialogun, duke u kthyer, ngulmueshëm, tek njohja reciproke.

     Të gjitha nismat për ushtrim të sovranitetit, të cilat i ndërmori Qeveria Kurti, ishin të ligjshme dhe Kushtetuese. Ndalimi i qendrave të votimit të serbëve të Kosovës, për zgjedhjet në Serbi; ndalimi i targave të paligjshme; ndalimi i kripto-valutave; ndalimi i bixhozit në veriun e Kosovës, Kamenicë dhe gjetkë; forcimi i kontrollit doganor; mbyllja e 16 rrugëve ilegale të kontrabandës, në kufi me Serbinë; ndërtimi i pikave të kontrollit policor; arrestimi i disa kriminelëve, përfshirë huliganët e porositur të barrikadave; organizimi i zgjedhjeve dhe vendosja e kryetarëve edhe në zyrat rrethanore, që, padyshim, ishte lëshimi dhe turpi i madh i ndërkombëtarëve dhe i ish-shtetarëve dhe ish-pushtetarëve tanë; fillimi i ndërtimit të shtëpive të djegura nga bandat serbe në veri; ngritja e flamurit shtetëror të Kosovës në selitë-zyra komunale; heqja e billbordëve të turpit, me surratët e Putinit, Vuçiqit, Gjuriqit …, që ishin poshtërim e provokim, jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për ndërkombëtarët; fillimi i pagesës së rrymës; reciprociteti në dokumentet doganore dhe të udhëtimit…

         Ujku, duke qenë sipër, akuzonte qingjin,  se po ia turbullon ujin nga poshtë!

     Çështja e ndalimit të dinarit, bartja me thasë, pa asnjë kontroll, është vendim i duhur. Zyrtarët e Serbisë, me Vuçiqin në krye, janë në hall të madh, sepse do të pengohen në vjedhjen industriale, të parave të qytetarëve të Serbisë. Veç kësaj, Beogradi zyrtar ka deklaruar se janë edhe më shumë se 5.000 shqiptarë nga Kosova, që marrin para-dinarë nga Serbia. Sigurisht, në mes tyre ka edhe agjent të paguar nga Qeveria serbe. Dhe, Serbia ngulmon të mos zbulohen agjentët e saj dhe këtë e ka pohuar botërisht. Pra, Serbia ka hallet e hajnisë dhe të konspiracionit agjenturor.

     Ndërsa ngulmimi i ndërkombëtarëve, për të vazhduar përdorimin pa afat të dinarit në Kosovë, me përjashtim të ambasadorit Jefry Hovenier, është nga provokimet e rënda dhe pa asnjë mbulesë arsyetimi. Është rrenë e kulluar të thuhet se dinarët e Serbisë janë mbijetesë për serbët e Kosovës. Sepse në Kosovë pensionet dhe ndihmat sociale, janë të garantuara me ligj, për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë nacionale. Kjo është pagesë shtesë, qysh i paguante me rrogë Serbia e vjetër dhe Mali i Zi, kolonët serbë e malazezë në Shqipëri dhe Kosovë, për t`u bërë hisedarë në shtetet fqinjë. Është turp i madh, mbrojtja e 7 (shtatë) komunave ilegale, të cilat abuzojnë me lëshimin e dokumenteve të paligjshme, paralele. Këtë faj-krim e bënë edhe ndërkombëtarët, të cilët, paradoksalisht, “vajtuan” krahas serbëve abuziv dhe thyerës të ligjeve shtetërore!

     Janë stisje e shpifje e përsëritur, kinse, Qeveria nuk konsultohet, nuk koordinohet me BE-në, SHBA-në, pra, me partnerët?! E vërteta është se për të gjitha rastet janë pyetur dhe konsultuar me ndërkombëtarët, partnerët. Edhe  marrëveshjen për targat vendore, e pengoi Serbia, nuk i lejonte serbët e Kosovës për ta zbatuar. Cinikisht, ndërkombtarët me batonët, buzhalët, matoshët, molliqët dhe lakejtë të tjerë, targat i quanin “teneqe”! Por, në fakt ishin pjesë e sovranitetit shtetëror. Me kot u akuzua Qeveria se “nuk qenkan njoftuar e konsultuar me partnerët për ndalimin e dinarit”? Por, rezultoi e kundërta dhe James O`Brian e pranon konsultimin paraprak: “Ndonëse SHBA kishin këshilluar Qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, (lexo: mos ndalimin e përdorimit të dinarit – shënimi im), ajo vendosi ta zbatojë atë”,- deklaron O`Brian.

     Qeveritarët e Kosovës janë në hall me ndërkombëtarët. Për të gjitha shkeljet e Kushtetutës të Kosovës, të bëra nga serbët në veriun e Mitrovicës, me aprovimin e Hashim Thaçit, me “komandantët” e tij, të shantazhuar me dosje krimesh hajnore e vrastare, korrigjimi i tyre nga Qeveria Kurti, ka hasur në rezistencën e Beogradit zyrtar. Kjo rezistencë ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, me premtimin se duhet pritur deri “në kalendat greke”, në infinit, pambarim! Me arsyetimin klishe: “Se po provokohen serbët, Serbia, po dëmtohet normalizimi i marrëdhënieve dhe broçkulla të tjera.

Sjelljet e tilla, sa provokative, aq edhe jologjike, na sjellin ndërmend fabulën proverbiale “Ujku dhe qingji”, edhe pse i pari ishte lart dhe i dyti poshtë rrjedhës së ujit!

     Edhe kur po thonë se nuk na kanë konsultuar Kurti dhe zyrtarët e tij, Qeveria heshtë, nga keqardhja për t`iu thënë partnerëve se kjo nuk është e vërtetë, është gënjeshtër. Kosova duhet t`i ruajë miqtë, partnerët, që ata të mos nxitohen, të mos marrin vendime të gabuara. Rasti i Presidentit Clinton, i cili u pendua pse e bindi Ukrainën të heq dorë nga programi i armatimit bërthamor. Për rrjedhojë lufta në Ukrainë, deri tani, ka shkaktuar 400 mijë viktima dhe ka humbur 20 % të territorit të saj! Sa vlen sot pendimi i Njeriut të mirë Bill, pas kësaj ploje njerëzore?! Po ta kishte atë armë, llogaritë me Rusinë do të ishin të tjera.

     Po ashtu, Cristopher Hill pranon se gaboi kur lejoi themelimin e Asociacionit për 14 komunat, me shumësi serbe në Bosnje, e cila brenda më pak se dy vitesh, rezultoi me krijimin e “Republika Srpska”! Dhe, tani, kur DASH e shpallë “non grata” kriminelin Dodik, ai thotë se “atë-letër-vendim të Amerikës e përdor si letër hixhenike”. Diçka të tillë do të thoshte nesër, një Dodik tjetër i – Republika Srpska – të Kosovës!

     Thonë se “kush pendohet dy herë, për të njëjtin faj”,- është hipokrit. Prandaj, duhet ndihmuar ambasadori Hill, që të mos bejë fajin e dytë, pas atij në Bosnje, për ta krijuar një palo Asociacion njëetnik në Kosovë, kur dihet se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon themelimin e – Asociacionit njëetnik -. Nga ngulmimi i tij, me kolegët amerikanë dhe evropianë, po tentohet të asfiksohet shteti i Kosovës.

     Cris Hill ka qenë “kundër bombardimit të Serbisë nga NATO, si dhe kundër pavarësisë të Kosovës, por, vetëm për një autonomi të zgjeruar!” Shumë sinjifikative, domëthënëse, si po “rastisin” dhëndurë dhe miq të rreshkur të Serbisë, për të qenë në poste vendimmarrëse për çështjen e Kosovës. Madje, jo vetëm nga Amerika mike e jona, por edhe nga Franca, mike tradicionale e Serbisë.

     Agjenti freng, Arnaud Danjean, i DGSE, “rastësisht” bënte kursin e gjuhës gjermane, në Cyrih të Zvicrës, së bashku me Hashim Thaçin. Shefi i Arnaudit, Pierre Seramy, drejtor i Shërbimit Informativ Francez, në TV -Canal + – të Francës, shpjegon rekrutimin e Hashimit, agjent në shërbim të Serbisë! Dhe, megjithatë, Qeveria e Kosovës, nuk kërkon as llogari dhe as ndihmë, nga Presidenti Macron, për t`i shpallur jovalide të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga një agjent i shantazhuar, të paktën, i dyfishtë, siç ishte Hashim Thaçi”, me ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të frengut Danjean!

     Paradoksalisht, Arsimin dhe Shëndetësinë, në komunat dhe vendbanimet serbe, në Kosovë, i menaxhon Beogradi! Tani ngulmojnë ta kenë edhe monedhën e veçantë të tyre – dinarin. Presin vetëm Asociacionin dhe bëhen Serbi! Pse ndodhë kjo?! Çfarë Pavarësie është kjo, e Kosovës, kur, ligjërisht e ka njohur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë?! Është koha për të menduar dhe vepruar për sovranitetin e mirëfilltë të Kosovës. Gjithnjë aktuale, porosia e urtakut Rugovë: “Zyrtarët e shantazhuar të mos lejohen të ngritën në postet e larta shtetërore dhe pushtetare, sepse janë të rrezikshëm për Kosovën!”

     Mjerisht, populli i Kosovës bëri fajin-krim fatal! Edhe pse ishte në dijeni të infiltrimit të agjenturave armike në Kosovë, jo vetëm i heshti, por edhe lejoi kapjen e shtetit dhe të pushtetit, nga zyrtarë të shantazhuar, me dosje krimesh faktike. Për rrjedhojë, me shantazh e kërcënim, bënë pazare të pista me Serbinë, me cenim të sovranitetit të Kosovës. Ata, duke mashtruar me dialogun teknik, bënë, kryesisht, dialog politik dhe nënshkruan, në konspiracion të plotë, marrëveshje, tmerrësisht, të dëmshme për Kosovën, duke mos konsultuar as strukturat partiake dhe as institucionet shtetërore!

     Për këtë të vërtetë absolute, duhet qartësuar Qendrat e Vendosjes Ndërkombëtare, respektivisht, shtetet e Quintit, për të pasur mirëkuptim me palën kosovare, në dialogun përmbyllës aktual, aq më parë kur pjesë e shantazhit është, të paktën, një agjent i Shërbimit Informativ të një shteti, anëtar i Quintit, saktësisht, i Francës.

     Dihet, shqiptarët janë humbës të mëdhenj, përgjatë historisë 150 vjeçare, nga vendimet mujëshore dhe të padrejta të Fuqive të Mëdha të kohës, duke u dhuruar krahina të tëra fqinjëve lakmiqarë. Të paktën, tani ta ruajnë këtë tërësi territoriale të mbijetuar kohërave, të Kosovës, të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Dhe, pas çlirimit faktik dhe ekskluziv të Kosovës, nga bota demokratike, të prirë nga SHBA dhe BE, tashmë, të bërë fisnikërisht, borxhi i radhës është sovraniteti i Kosovës në kufinjt e vitit 1913.