Referuar studimit më të fundit të Komsionit Evropian, platforma “X” (e quajtur Twitter më herët), ka përqindjen më të madhe të dezinformimit nga gjashtë rrjetet më të mëdha sociale në botë.
Në studim u morën mbi 6 mijë postime të ndryshme të rrjeteve sociale në Facebook, Instagram, LinkedIn, TikTok, X dhe YouTube. Studimi analizoi përmbajtjen në tre vende që konsiderohen veçanërisht të rrezikuara nga dezinformimi – Spanja, Polonia dhe Sllovakia.
“Platforma me përqindjen më të madhe të dezinformatave, që do të thotë përqindja e përmbajtjes së ndjeshme të përbërë nga dezinformata, ishte X. YouTube kishte nivelin më të ulët”, thuhet në studim.
Studimi u krye nga TrustLab, një start-up për monitorimin e dezinformatave, si pjesë e punës për të mbështetur kodin e praktikës së BE-së për dezinformimin.
“X” do t’i nënshtrohet Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së (DSA) që regullon sjelljen e platformave të mëdha teknologjike. Kompanitë që nuk e respektojë atë, mund të gjobiten deri në 6% të xhiros globale që kanë.