Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez më shumë vuajtën sesa e shijuan ndeshjen e boksit mes Tyson Fury dhe Francis Ngannou në Arabinë Saudite. CR7 dhe gjysma e tij më e mirë ishin pjesë e një rrethi të ngushtë të personazheve të famshëm që ndoqën duelin dhe hapjen e sezonit të boksit në Riad. Me ta ishin ndër të tjerë Eminem dhe Kanye West.

Ronaldo dukej i shqetësuar teksa shikonte ndeshjen historike. Si Fury, ashtu edhe Ngannou janë miq të Ronaldos dhe tashmë ishte e vështirë të kuptohej se cilin boksier mbështeste kampioni portugez i futbollit. Në një video që u bë “virale”, e publikuar para ndeshjes, lojtari i Al-Nassr pozoi me Ngannou. Kujtojmë se Fury e fitoi duelin me pikë dhe jo pa polemika.

Ndërkohë, më herët, gjatë ditës në Arabinë Saudite, Ronaldo dha një tjetër asist, të tetin e tij sezonal në të gjitha garat, pasi Al-Nassr mundi Al Feiha 3-1. Kjo ishte fitorja e tetë në ligë e këtij sezoni për skuadrën e CR7, e “përkthyer” ndryshe në vendin e dytë në klasifikimin aktual, 4 pikë prapa liderit Al-Hilal.