Evropa jugore nën ‘pushtetin’ e të nxehtit

GREQI– Vala e të nxehtit ekstrem ka “paralizuar” këtë të premte Evropën jugore dhe pritet që në ditët në vijim të ketë një rritje të temperaturave që do ta kalojnë 48 gradë celsius. Përballë kësaj situata këtë të premte Greqia mbylli Akropolin gjatë pjesës më të nxehtë të ditës të premten për të mbrojtur turistët dhe një zonë në Kroaci u përfshi nga flakët, ndërsa një valë të nxehti të skajshëm përfshiu Evropën Jugore. Në Itali është rritur frika për ditët në vijim, pasi i nxehti pritet të intensifikohet dhe temperaturat parashikohen të shkojnë deri mbi 45 gradë Celsius në qendër dhe në jug të vendit. 

Meteorologët italianë po e quajnë fazën tjetër të valës së të nxehtit “Charon” një referencë për një figurë mitologjike greke që ka të bëjë me shpirtrat e të vdekurve. Kjo pason valën e të nxehtit “Cerberus” të kësaj jave që mban emrin e qenit me tre koka të botës së krimit, po nga mitologjia e lashtë greke. Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), satelitët e së cilës monitorojnë temperaturat e tokës dhe detit, ka paralajmëruar se Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia po përballen të gjitha me kushte ekstreme. Temperaturat mund të thyejnë rekordin aktual të Evropës, atë prej 48.8 Gradë Celsius të regjistruar në Siçili në gusht të vitit 2021. raporton VOA.  

Shërbimi meteorologjik i Greqisë priste që temperaturat të arrinin 41 gradë Celsius në Athinë deri në mesditë, por në Akropol që ndodhet në një kodër nga ku shihet kryeqyteti grek është zakonisht edhe më nxehtë, për shkak të lartësisë dhe mungesës së hijes. Në Kroaci, 56 zjarrfikës me 20 automjete dhe tre avionë luftuan për të frenuar një zjarr që u përhap me shpejtësi të enjten për shkak të erërave të forta jugore në qytetin e Shibenikut, buzë Adriatikut. 

Fshati Grebasticë është shkatërruar nga zjarri. Ministria e Mbrojtjes Civile e Greqisë paralajmëroi të premten për rrezikun e zjarreve në pyje në pesë zona dhe u tha njerëzve të shmangin çdo veprim si djegia e barërave të këqija, e cila mund të shkaktojë zjarr. Mjekët paralajmëruan se më të rrezikuarit ishin të moshuarit më të varfër me probleme shëndetësore ekzistuese./Limit.al