Turistët “humbin” nëpër Shqipëri; Pse është kaq e vështirë të bëhen platformat e hartave të transportit publik?!

Dian dhe shoqja e saj qëndruan të përhumbura në rrugë për më shumë se dy orë, teksa prisnin autobusin nga Gjirokastra në Berat.

Supozohet se duhet të prisnin në një stacion ku do të hipnin, por në rrugë nuk kishte asnjë tabelë që tregonte një të tillë. Informacioni që kishin marrë në internet nuk jepte shumë detaje dhe stacioni mund të ishte kudo.

Kur kuptuan se nuk kishin shumë mundësi për të marrë autobusin, që me shumë gjasa kishte kaluar, u detyruan të bënin autostop. Të ardhura nga Holanda për të vizituar disa ditë vendet më tërheqëse të Shqipërisë, ato vlerësojnë se të orientohesh është një sfidë e vërtetë.

Për të gjetur një destinacion, të duhet shumë kërkim në internet, por mbi të gjitha, të zbatosh atë shprehjen e famshme “Me të pyetur gjen Stambollin”, përshtatur në kontekstin turistik, “Me të pyetur zbulon Shqipërinë”.

Një nga tiparet që ato vlerësojnë si më pozitivin në gjithë këtë amulli orientimi, është dashamirësia e shqiptarëve për të ndihmuar dhe gjindja nëse kërkon ndihmë.

“Përgjithësisht ne përdorëm autobusët për të shkuar nga njëri qytet në tjetrin dhe ndonjëherë ishte kaq çorientuese se ku duhet të shkoje apo qëndroje për të marrë tjetrin. Humbëm dy herë autobusin, që ishte pasdite vonë dhe mesa duket autobusët nuk qarkullojnë gjithë kohën.

Si një udhëtar, ti do që të marrësh një autobus në mëngjes apo vonë në darkë (të paktën unë kështu preferoj). Kishim kohën të kufizuar dhe donim që ta kalonim sa më mirë.

Rruga për në Berat nga Gjirokastra ishte sfiduese, pasi duhet të ndërrosh mjet dhe të marrësh një autobus tjetër, por aty në fakt nuk ka një stacion të posaçëm.

Ne nuk jemi mësuar me këtë dhe nuk dinim se ku të qëndronim në rrugë. Në fund fare na u desh të bënim autostop, për shkak se nuk kishim asnjë mundësi tjetër. Fatmirësisht shqiptarët janë shumë miqësorë dhe të gatshëm për të të ndihmuar”, – pohon ajo për “Monitor”.

udhëtosh me autobusë është sfiduese, s’ka platformë që tregon kohën reale

Pjesa më e thjeshtë e udhëtimit që përmendet nga turistët është transporti nga aeroporti drejt kryeqytetit. Alternativa e preferuar, që është taksia, i çon në hotele rreth qendrës, në zona me popullaritet të mirë, por edhe AirBNB, të cilat janë gjithashtu në zona mjaft të mira, ku gjithçka mund ta arrish duke ecur.

Përveç taksive është edhe linja e autobusëve, për të cilën informacioni në internet gjendet lehtë.

“Ne mbërritëm në aeroport dhe shkuam drejt autobusëve (lexuam online se ku të shkonim). Morrëm autobusin e parë për në Tiranë dhe kjo të jem e sinqertë shkoi shumë mirë. Nuk na u desh të përdornim asnjë aplikacion.

Shumicën e informacionit që përdorëm për vendet që do të vizitonim apo ku do të hanim e kemi gjetur në blogje”, pohon Dian. Sipas saj, të gjesh restorante apo vende ku do të shkosh të kalosh kohën është e thjeshtë, nëpërmjet internetit, por transporti në vetvete është një sfidë.

“Transporti në vendin tuaj është sfidë, sidomos prej mungesës së orareve online, si dhe stacioneve ku ndalojnë autobusët gjatë udhëtimit jashtë qyteteve. Edhe në Azi, kjo është më e thjeshtë sesa te ju. Ata kanë një platformë ‘12goasia’ që ndihmon shumë” tregon ajo.

Habia e saj lidhet me faktin se Shqipëria, një vend kaq afër Europës, me modele të ndërtuara nga të tjerët që funksionojnë, ende nuk ka minimumi një platformë të unifikuar dhe bazë për transportin, teksa turizmin e ka shpërthyes.

Informacioni i copëzuar, në disa raste i parifreskuar nga institucionet nga viti 2019

Kur udhëton në disa vende të Europës, nëse të duhet të kërkosh një itinerar në internet, ajo që të shfaqet është koha dhe rruga që duhet të përshkosh me makinë private, koha dhe mundësia me autobus, koha dhe mundësia me tren (nëse ka hekurudhë), dhe koha në këmbë.

Për secilin prej këtyre opsioneve, të tregohet edhe vendndodhja e stacionit qendror të qytetit (terminali) ku do të hipësh dhe ai që do të zbresësh.

Nëse kërkon sot në internet sesi të shkosh nga Tirana në Vlorë, informacioni në Google Maps është alternativa e udhëtimit me makinë 2 orë e 15 minuta dhe udhëtimi në këmbë për 28 orë. Mundësia e udhëtimit me autobus nuk është e klikueshme, gjë që do të thotë se nuk ka të dhëna në sistem për këtë opsion.

Një informacion mbi autobusët mund ta gjesh te faqja visit-albania.com e cila është nën Agjencinë Kombëtare të Turizmit.

Në këtë faqe interneti mund të gjesh një dritare ku thuhet “Informacion praktik” dhe poshtë saj renditen, mes të tjerash, disa seksione përfshirë transportin. Të dhënat në këtë faqe lidhur me linjat janë hedhur për herë të fundit në internet në vitin 2019.

Ndërkohë ka pasur disa ndryshime qoftë te vendqëndrimet apo Terminalet, që në faqen e Agjencisë nuk reflektohen. Sipas saj, disa autobusë qëndrojnë ende te sheshi “Shqiponja”, ndërsa prej kohësh janë zhvendosur te terminali provizor, pranë Casa Italia.

Një informacion më të saktë mund ta gjesh në faqen e agjencisë që menaxhon parkimet në Tiranë, siç është Tirana Parking, por është disi e pazakontë që një turist i huaj të dijë se ekziston një faqe e tillë dhe se aty mund të gjejë oraret për autobusët.

Në këtë faqe mund të gjesh të dhëna për të tre terminalet që janë nën Bashkinë e Tiranës dy për transportin ndërqytetës dhe një për autobusët ndërkombëtarë dhe të Kosovës.

Një pjesë e Bashkive, të paktën ato që kanë të zhvilluar aspektin turistik, kanë të përfshira në faqet e tyre një ndarje të posaçme për transportin.

Për shembull, Bashkia e Sarandës e ka një të tillë lidhur me linjat ndërqytetëse dhe ato rreth-qytetase, duke dhënë një informacion të përciptë. Shumë më i dobishëm sesa informacioni i institucioneve shqiptare është informacioni që bloger të huaj postojnë online.

Teksa kërkonim në internet për të dhëna mbi transportin ndeshëm në blogun e Anita Hendrieka, e cila jeton në Jug të vendit dhe është nga Zelanda e Re.

Në faqen e saj mund të gjesh oraret e autobusëve dhe linjat të rifreskuara për vitin 2023, të cilat ajo nënvizon se i ka vizituar vetë dhe i ka fotografuar në terminalet përkatëse.

Ajo thekson se nuk ka garanci që këto orare të mos ndryshojnë apo të mos përballeni me surpriza. Ndaj, mënyra më e mirë për të ditur saktë ç’do të ndodhë me ju është të blini biletën një ditë para, ose të pyesni.

Informacioni ashtu si për autobusët ndërqytetas është i kufizuar edhe për urbanët. Orientimi është më i vështirë për Tiranën, pasi ka një mori linjash që kryqëzohen, ndaj të duhet të pyesësh mirë.

Sot nuk ka një aplikacion interaktiv që të tregon sesi të shkosh me urban nga një pikë në një tjetër.

Të paktën ne nuk konstatuam një të tillë dhe nga Bashkia nuk na u kthye një përgjigje zyrtare, nëse kishte një të tillë dhe çfarë ndodhi me një aplikacion të pak viteve më parë, që lidhet me transportin publik, i cili i ka tejet të ulëta vlerësimet në faqe.

Makina me qira, turistët: Mundësi e mirë, por e vështirëson sjellja e shoferëve

Një pjesë e mirë e turistëve zgjedhin që të vizitojnë vendin tonë duke marrë një makinë me qira. Sigurisht të ecësh në rrugë të reja dhe terrene ndonjëherë të vështira, e bën përvojën sfiduese.

Por për Cristiana Costa, e cila kishte ardhur nga Lisbona, sfida e vërtetë është mënyra se si shqiptarët drejtojnë makinën.

“Kur nisa të planifikoja këtë udhëtim, kuptova që nuk kishte ende shumë informacion konkret për Shqipërinë. Çdo blog fliste për një itinerar të ndryshëm dhe informacioni i dhënë, sidomos për rrugët dhe aspekte të tjera të transportit, ishte disi i parifreskuar.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri udhëtova me makinë, pasi e pashë të pamundur të vizitoja gjithçka që doja, duke përdorur ndonjë formë tjetër transporti.

Dhe u befasova për mirë. Kisha lexuar në shumë blogje për disa rrugë në gjendje të mjerueshme dhe mënyra sesi drejtojnë makinën vendasit është e rrezikshme.

Gjithsesi pashë që rrugët ishin në gjendje të mirë. Sa i takon sjelljes së vendasve në timon, sigurisht që m’u duk sfiduese dhe në shumë raste, u ndjeva disi e rrezikuar.

Kam vizituar disa qytete si Tirana, Berati, Saranda, Gjirokastra, Ksamili dhe Vlora. E vetmja mënyrë që më ndihmoi për të gjetur rrugën për të shkuar në këto vende ishte Google Maps. Ky udhëtim ishte i vështirë për t’u planifikuar, për shkak të mungesës së informacionit në internet.

Krijimi i një liste me vendet që duhet të vizitoheshin patjetër kërkon shumë kohë, por edhe moria e pafiltruar e informacionit mbi plazhet, restorantet, baret më të mira.

Është sfidë të udhëtosh në Shqipëri, për shkak të së panjohurës, pasi nuk ka as shumë përshtypje të dhëna nga njerëzit që kanë qenë dhe kjo sjell, deri diku, një ndjenjë jo komforti për ty si vizitor.

Në fund e vlerësoj si një udhëtim që ia vlen dhe do ta rekomandoja te të afërmit. Mendoj se këshilla kryesore që do t’ju jepja do të ishte që qëndronin në vende akomodimi që janë me shumë turistë (për mua ishte një lloj sigurie më shumë për një vend që nuk e njihja, por edhe peizazhet apo zona përreth janë më të bukura.

Do t’ju thoja që të merrnin shumë ‘cash’ me vete, pasi në shumë vende nuk mund të përdorësh kartat. Kjo, në njëfarë mënyre, do t’ju shmangte atyre që të paguanin tarifa ekstra për tërheqje parash jashtë vendit.

Po kështu të merrnin me qira një makinë të mirë, pasi do të bëjnë shumë kilometra, nëse do të duan të zbulojnë vërtet Shqipërinë”, – shprehet Cristiana.

Mungesa e informacionit i çon turistët në rrugë të degraduara, befasohen nga mbetjet

Olivia, e cila po kalon disa ditë në Shqipëri me të fejuarin shprehet e befasuar pozitivisht nga Shqipëria, por sipas saj informacioni mbi transportin nuk është i mjaftueshëm.

Shumica e informacionit, i marrë nga blogjet dhe interneti, duke qenë i parifreskuar, shpesh është keqinformues, duke të futur në rrugë të degraduara, teksa mund të ketë opsione me rrugë të rikonstruktuara.

Gjithsesi, sipas saj, ka edhe nga ato rrugë në zona turistike që janë në gjendje të mjerueshme dhe për fat të keq, si një person që nuk i njeh, mund të gjendjesh në situata të vështira, si çarja e një gome në një zonë të largët. Të paktën kjo kishte ndodhur ditën që kontaktuam Olivian, e cila ishte nisur drejt Thethit.

“Ne morëm një makinë me qira sapo erdhën në Shqipëri dhe do të qëndrojmë deri në datë 29 qershor. Kemi shëtitur Tiranën, Liqenin e Bovillës, Krujën, liqenin e Komanit dhe tani po shkojmë në Theth. Është shumë e vështirë të lëvizësh nga një qytet në tjetrin në shumë raste.

Nuk ka shumë kilometra, por shkon gjatë, sepse rruga mund të jetë e dëmtuar. Kur them e dëmtuar, nënkuptoj që në fillim gjithçka është normale dhe duket shumë mirë, por krejt papritur bëhet e tmerrshme. Diçka e tillë na ndodhi edhe sot, kur na u ça goma e makinës.

Nëse do të shkosh në Bovillë është një zonë ku punohet, nuk jam shumë e sigurt çfarë aktiviteti është, por ka kaq shumë makina të mëdha dhe rruga është e keqe. Në anën tjetër, në këtë video që po ju tregoj, është rruga për në liqenin e Komanit për të marrë tragetin dhe është në gjendje të keqe.

Do ta rekomandoja Shqipërinë edhe me kaq sa kam parë, pasi ende nuk e di sesi do të shkojë udhëtimi deri në fund. Gjithsesi për të afërmit e mi do të këshilloja të merrnin një makinë të mirë me qira. Më duhet t’i paralajmëroj, se rrugët janë të çmendura në disa raste dhe nuk është aq e lehtë të kalosh.

Më shumë sesa rruga në liqenin e Komanit, ajo që na befasoi është ndotja që ka ai. Është një liqen kaq i bukur, por ka kaq shumë shishe plastike, sa të trishton kur i sheh.

Mbetjet duken si një gabim i madh që i has shpesh këtu nëpër disa pika. Mendoj se Shqipëria, si një vend në zhvillim, ka shumë punë për të bërë për mbetjet dhe riciklimin” – shprehet Olivia.

Ministria e Turizmit asnjë informacion, Bashkia e Tiranës përgjigje joshteruese

Institucionet kanë rolin kyç në krijimin e lehtësive në lidhje me transportin dhe orientimin e turistëve gjithmonë në rritje.

Në shumë raste, në vende të tjera, këto të fundit krijojnë aplikacione dhe akses në faqe zyrtare për të siguruar informim sa më të mirë, e në të tjera raste, janë bashkëpunëtorë ose nxitës të privatëve për të krijuar këto lehtësi.

Por, pavarësisht rritjes së interesit për Shqipërinë, duket se për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, mënyra sesi orientohen turistët në vend nuk ka shumë rëndësi, madje edhe nëse nuk e sheh si kompetencë të saj, nuk ka një reagim për ta pranuar këtë dhe për ta adresuar në institucionet përkatëse.

“Monitor” i dërgoi kësaj ministrie, në datë 16 qershor 2023, një kërkesë për të drejtë informimi lidhur me disa pyetje për turizmin dhe transportin në email-in publikuar nga ky institucion për Koordinatorin e së Drejtës së Informimit.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë, nga kjo ministri nuk erdhi asnjë reagim, madje me procedurën e rregullt kërkesa duhet të ishte marrë dhe në këtë moment, duhet të ishte dërguar një numër protokolli dhe konfirmim, diçka që nuk ndodhi.

Bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës shfaqi gatishmëri më të madhe për të dhënë informacion sa i takon kësaj teme.

Me dërgimin e shkresës dhe gjashtë pyetjeve për këtë Bashki në lidhje me transportin në kryeqytet, nga ana e koordinatorit për të drejtën ë informimit në këtë bashki u kthye përgjigje mbi marrjen e kërkesës dhe numrin e protokollit.

Pas më shumë se dy javësh nga Tirana Parking, nën varësinë e Bashkisë, u dërgua një shkresë që u përgjigjej vetëm dy prej pyetjeve. Informacioni i marrë nga Bashkia për këtë tematikë është joshterues.

“Në përgjigje të shkresës suaj me Nr. 12885, datë 16.06.2023, ardhur në Tirana Parking, më datë 20.06.2023, me Nr. Prot. 1058 me lëndë “Kërkesë për të drejtën për informim” ju bëjmë të ditur se: Bazuar kërkesës suaj, Tirana Parking do t’ju informojë rreth përgjigjeve që ka për kompetence si më poshtë:

-Sa terminale për autobusët ndërqytetës ka Bashkia e Tiranës dhe si janë të ndarë ato?

Aktualisht Tirana Parking menaxhon 2 (dy) terminale ndërqytetëse, konkretisht Terminalin Ndërqytetës Jug – Veri dhe Terminalin Ndërqytetës të Juglindjes.

-Ku mund të gjendet orari lidhur me linjat e autobusëve që janë në dispozicion?

Orari i linjave të autobusëve gjendet në faqen ueb të Tirana Parking, Bashkia e Tiranës gjithashtu dhe në hyrje të terminaleve gjendet i pasqyruar orari në sinjalistikën vertikale” thuhet në shkresën e Tirana Parking./Monitor-Limit.al