Bill Clinton viziton Tiranën më 3 korrik/ ZBARDHET AXHENDA

TIRANË– Zbardhet axhenda e vizitës dy ditore e ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton në Tiranë. Mësohet se ish-Presidenti Clinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë pasditën vonë të së hënës së 3 korrikut. 

Në orën 19.00 do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve. 

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve. Në orën 19.05 Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë zotin Bill Klinton të marrë çmimin e akorduar. 

Në orën 19.25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit./Limit.al