Perëndimi të sanksionojë Serbinë autokratike, jo Kosovën demokratike

Nga dr. Islam LAUKA,

ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë

BE dhe SHBA kanë paralajmëruar për sanksione ndaj Kosovës, për gjoja, mosmarrjen e hapave të duhur për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës. E vërteta është se tre kushtet e vëna nga Brukseli dhe Uashingtoni, në thelb, janë pranuar nga km Kurti. Këtë e dëshmoi edhe sot me paraqitjen e tetë kushteve për shtensionim, respektivisht, katër për Kosovën dhe katër për Serbinë.
Ndryshimi i Kurtit me qasjen e njëanshme perëndimore qëndron në specifikimin e kushteve edhe për Serbinë. Sepse, shkaktari e vërtetë i krizës në Veri është Beogradi, jo Prishtina. Është Vuçiçi ai që refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit; që nxit falangat serbe të ushtrojnë, sistematikisht, dhunë; që u bën thirrje serbëve të mos integrohen në institucionet e Kosovës; që, sipas skenarit rus, përpiqet ta kthejë Veriun e Kosovës, në konflikt të ngrirë; që bën fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare; që deklaron hapur në Bruksel dhe Uashington se Serbia nuk e njeh, as nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Të gjitha këto “bëma” të Vuçiçit i dinë amerikanët dhe europianët, por reagimi i tyre konstant ka qenë dhe mbetet “po mbajmë shënim”. Ndërkohë, sanksionohet Kosova, vendi më demokratik e më properëndimor në rajon, shteti që ka arritjet më të spikatura në fushën e sundimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit, përgjithësisht në atë që njihet si luftë për shkapjen e shtetit. Ndërsa Vuçiçi dhe miqtë e tij në rajon si km Edi Rama, shquhen për të kundërtën, kapjen e shteti. I bie që Perëndimi po ndëshkon ata që luftojnë për një shtet me standarde demokratike dhe inkurajon ata me prirje autokratike.
Por ka edhe një ndryshim tjetër në qasjen e Kurtit, në krahasim me atë perëndimore. Uashingtoni dhe Brukseli kërkojnë tërheqjen pa kushte të forcave policore nga veriu, ndërkaq Kurit e kushtëzon këtë hap me sundimin atje të rendit e ligjit. Sot qeveria e Kosovës shpalli si organizata terroriste “mbrojtjen civile” dhe “brigadën e veriut”, për shkak të dhunës së ushtruar në veri, kërcënimin e pronës publike e private, për organizim trazirash, etj.
Kërkesa e perëndimorëve për tërheqjen e forcave policore të Kosovës nga veriu, a mos do të thotë që këta terroristë të livadhisin si t’u dojë qejfi në këtë zonë? Dihet që Perëndimi iu ka shpallur luftë terroristëve në të gjithë botën dhe mirë ka bërë. Por terroristët janë të gjithë njëlloj, jo disa të mirë dhe disa të këqinj. Ata janë të gjithë të rrezikshëm, përfshirë terroristët serbë. Qeveria e Kosovës është në të drejtën e vet që të zhvillojë luftën antiterror, duke e vlerësuar terrorizmin si kërcënim serioz për interesat e sigurisë. Uashingtoni dhe Brukseli duhet që të mos e lënë atë vetëm por ta mbështesin dhe inkurajojnë në këtë luftë sepse është edhe në interes të sigurisë së tyre.