Nga Ramiz LUSHAJ

1.
Në shpikjen e shëmtuar e shpifanike të Bashkimit Europian, të cilësuem përgjatë këtij shekullit 21, si “Ballkani Perëndimor”, ku i përfshijnë katër shtete me popullsi në shumicë sllave (Serbi, B+H, MZ, MV) dhe dy shtete me popullsi shqiptare (Shqipëria e Kosova), po shohim ma qartazi tashti edhe me ngjarjet në veri të Kosovës, me zhvillimet e qëndrimet nacionale e ndërkombëtare ndaj këtyre ngjarjeve e Kosovës dardane, se kemi të bajmë në horizontin shovinist e në disa tryeza diplomatike, me një rikonfigurim famëkeq e zgjatim ogurzi të Jugosllavisë së Krajlive, të Avnojit (të Titos), të Millosheviçit.

Serbia shoviniste e genocidiale e Vuçiçit ende vazhdon me projektet e vjetra e të reja kundërshqiptare të “Doktrinës së Shenjtë Serbe” të Obrenaviqit, Grashaninit, Çubrilloviqit, Andriqit, Radoviçit, Radosavljeviçit e të tjerëve. Ende, edhe në këto çaste që lexoni këtë shkrim, mendja shovene e dora e zezë serbe veprimtaron që në kuadrin e “Ballkanit Perëndimor” e të “Ballkanit të Hapur”, të krijojnë “Jugosllavinë e Katërt”, Jugosllavinë e Vuçiçit”.

2.
Ky “Ballkani Perëndimor” nuk është aq i madh saç i ka të mëdha problemet e veta dhe problemet për të tjerët e me të tjerët (euro-atlantikët, lindoro-sllavët, islamiko-aziatikët), sepse krahasuar me ballkanikët fqinjë për nga sipërfaqja është nja tri herë ma i vogël se Turqia dhe për nga popullsia pothuaj sa Rumania.

E kujt nga Europa e Bashkuar i duhej dhe ende i duhet ky copëzim i Ballkanit?!

3.
Përndryshe: ky “Ballkani Perëndimor” është (pothuaj) sa gjysma e rajonit gjeofizik e politik të Ballkanit, që ka nja 550 mijë kilometra katërore sipërfaqe e mbi 55 milionë banorë gjithsejt.

Se kujt dhe pse i intereson një ndarje e këtillë gjysma-gjysma i Ballkanit vetëm Bashkimi Europian e din me të vërteti dhe din ta shpjegojnë realisht nga ana gjeostrategjike, politike, diplomatike, ushtarake, ekonomike!

4.
“Ballkani Perëndimor” i sotëm, 2023, është ma i vogël edhe se vet Jugosllavia e dikurshme e Krajlive e Avnojit. me rreth 50 mijë kilometra katrore ma pak.

Nuk e përfshinte Slloveninë.
Tashti nuk e përfshin as Kroacinë.
Te dyja janë njejtësisht edhe në BE, edhe në NATO.

Bashkimit Europian me të Tjerët, me sa duket, iu interesonte që të mos përfshihej Sllovenia dhe të largohej Kroacia.

-Pse?- do të thotë ndokush. Se, fjala vjen, shembulli duket: Kroacia do të ishte rivale e kundërshtare e madhe e Serbisë.

Përndryshe: në këto kushte, pa Kroacinë e Slloveninë, e kemi “superfuqi të Ballkanit Perëndimor” Serbinë e Vuçiçit.

Bashkimi Europian, përfaqësues të tij, si me Borrella nga Spanja e Lajçaku nga Sllovakia, sa herë diskutojnë e duan të vendimojnë për Kosovën nuk e shohin tërësisht e krejtësisht si pjesë të Europës së Bashkuar, si pjesë të Kombeve të Bashkuara, si pjesë të Ballkanit, po si një pjesë/shtet i “Ballkanit Perëndimor”, që ka për supërfuqi Serbinë dhe që për ta e për shumkand Serbia ka gjithnjë të drejtë se është shteti ma i madh i formacionit shëmti “Ballkani Perëndimor”!

5.
Çështja shtrohet kësisoj: po të shohim harten para Kongresit të Berlinit (1879) të këtij Ballkanit Perëndimor të sotëm, gjithkush vëren se Shqipëria e atëhershme, Shqipëria Natyrale, e Vërtetë, Etnike, (Shqipëria në ma shumë se katër vilajetet otomane), Shqipëria idealiste e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shtrihej në ma shumë se 100 mijë kilometra katërore, ishte ma shumë se gjysma e sipërfaqes së “Ballkanit Perëndimor” të sotëm.

Fuqi të mëdha të Europës së atëherit, si Franca e Rusia, sigurisht ndihmatare dhe Turqia Otomane, kishin krijue prej kohësh principata sllave në Illyricum (“Ballkanin Perëndimor”), si Serbinë e Madhe dhe Malin e Zi të Madh, derisa arritën të krijojnë Jugosllavinë e Krajlëve, Jugosllavinë e Titos, Jugosllavinë e Millosheviçit e tani po duan të krijojnë edhe të katërten: “Jugosllavinë e Vuçiçit”, me Serbinë (“kryeshtet”) dhe me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën, tuj përfshi edhe Kosovën me Shqipërinë (!)

Po duan të krijojnë “Jugosllavinë e Re” të Vuçiçit, “Jugosllavinë e mbetur” (me katër shtete slave t ëish RSFJ, po synojnë të marrin edhe Kosovën me vete, po duan ta joshin edhe Shqipërinë me vete, (këtë të fundit me mekanizma në dukje euroatlantik e në brendi merimangore prosllave si “Open Ballkan”-“Ballkani i Hapur”).

Shumkush mund të thotë: “O Zot, bëje ëndërr”, po Serbia e Madhe përditë e ma shumë e ma tepër po e kafshon dhe rrëmben Kosovën e vogël, m’u përpara Europës së Bashkuar, bash përballë Lidershipit Shqiptar në Ballkanin Perëndimor! E, një ditë, Kosovën vitale në shekuj historie do ta kemi një shtet në “vdekje klinike”, të paralizuar nga Serbia, të aneksuar prej saj.

A nuk po i shërbejnë ditë e natë kësaj: krijimi i një Kosovë multietnike- si asnjë tjetër shtet në hartën e botës, në kohën e sotme; kushtetueshmëria e Kosovës për pakicat serbe – si askund edhe në shtetet ma të përparuara të Europës së Bashkuar; Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, statusi i kishave (si në Deçan e gjetkë), etj. etj. duke arritë deri tek ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës dardane.

Serbia e Madhe e Millosheviçit dhe e Vuçiçit nuk do të ndalet vetëm me Ngjarjet në Veri të Kosovës, me Asociacionin e 10 Komunave, po në prapaskenë e në përballje ka me dalë me pretendim e e me aneksime të jashtëzakonshme në përcaktimin e pritshëm të Vijës Kufitare të Kosovës me Serbinë, të Demarkacionit me Serbinë e Madhe!

6.
“Europa e Bashkuar” si është e mundur të krijonë një të këtillë “Ballkan Perëndimor” (Ëestern Balkans) në zemër të Ballkanit të sotëm, duke vetakuzuar edhe vetvehten, lidershipin e saj të shek. XXI, me këtë termë gjeopolitik të saj.

Europë e Bashkuar, deshta me të dvetë: a është krejt gadishulli i Ballkanit një “Ballkan Perëndimor” edhe me Slloveni e Kroaci, me Greqi, me Bullgari e Rumani, me Turqi (pjesa Europiane) apo ti, Bashkimi Europian, po i vetëquan “Ballkani Perëndimor” vetëm katër ish shtete të Ish Jugosllavisë së Parë e të Dytë, (të Krajlive e të Avnojit) dhe dy shtetet shqiptare: Kosova e Shqipëria, nga të cilat vetëm Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia janë në NATO e të tjerat po ecin drejt Statusit të Vendit kandidat apo antar për në BE dhe Kosova drejt Shengenit Europian!

Tiranë, 24 qershor 2023.