Kualifikueset e Euro 2024, Kosova kërkon fitoren ndaj Rumanisë në “Fadil Vokrri”

Edhe Kosova vijon përgatitjet për dy sfidat kualifikuese, fillimisht ndaj Rumanisë, e më pas ndaj Bjellorusisë, për ndeshjet kualifikuese, të Europianit të vitit 2024, që do të zhvillohet në Gjermani.

Në 16 qershor dardanët do të presin në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës Rumaninë, ndërsa 3 ditë më pas do të udhëtojnë drejt Hungarisë, për tu përballur ndaj bjellorusëve.

Këto dy sfida vlerësohen deçizive për ecurinë e Dardanëve në këtë fushatë kualifikuese, prandaj edhe fokusi i stafit teknik, por edhe i futbollistëve është për t’i përgatitur ato sa më mirë.

Në ditën e parë në stërvitje morën pjesë shtatë futbollistë: Muric, Ujkani, Bekaj, Rrahmani, Kastrati, Krasniqi dhe Fazliji. Pjesa tjetër e futbollistëve është planifikuar të arrijë në ditët e ardhshme, kur trajneri Alain Giresse do ta ketë ekipin e kompletuar.

Stërvitja e parë u mbajt në ‘Kampin Nacional’ në Hajvali, ku u zhvillua për t’u shërbyer lojtarëve për rigjenerim, kryesisht me ushtrime fizike dhe vrapime të kombinuara.

Ndërkohë, ekipi do të mbajë edhe një stërvitje fitnesi./Limit.al