Kombëtarja vijon përgatitjet për sfidat ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe

Dy sfidat ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe janë në prag, teksa Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet, për këto dy takime të vlefshme për fazën eleminatore, për Europianin e vitit 2024.

Kur jemi në ditën e katërt të grumbullimit të përfaqësueses kuqezi, lojtarët kanë kryer një seancë tjetër stërvitore në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ndërsa grupi po kompletohet gradualisht me mbërritjen e disa prej futbollistëve të tjerë, që janë në listën e trajnerit Silvinjo.

Lista me 26 lojtarët e ftuar për sfidat zyrtare po kompletohet.

Të gjithë futbollistët janë stërvitur me ngarkesë të plotë, teksa fillimisht janë ushtruar në paletër, e më pas kanë punuar në fushën e blertë.

Ushtrime fizike dhe me topin, si edhe prova për situata të ndryshme të lojës për më shumë se një orë sipas programit.

Tashmë që grupi është thuajse i kompletuar edhe stërvitja intensifikohet gradualisht në prag të ndeshjes së parë ndaj Moldavisë që do të luhet më 17 qershor, në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Atmosfera në grup është mjaft e mirë dhe të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike./Limit.al