Haaland “kërcënon” Interin: E dija që do realizoja shumë gola, do shënoj edhe në finale

Stambolli është gati për të pritur finalen e madhe të UEFA Champions League, për edicionin 2022/2023.

Edhe disa orë na ndajnë nga përballja italo-angleze, mes Interit dhe Manchester Cityt, e cila do të luhet në Stadiumin Olimpik ‘Ataturk’.

Skuadra angleze ka bërë një sezon fantastik, duke fituar Premier Leaguen dhe FA Cup, ndërkohë që kërkojnë të hyjnë në histori duke fituar tripletën.

Në prag të super sfidës, sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland ‘ndezi’ duelin dhe kërcënoi zikaltërit. Bomberi norvegjez deklaroi se e dinte që këtë sezon do realizonte shumë gola dhe tha se një gjë të tillë do e bëj dhe ndaj Interit.

Erling Haaland: Gjithnjë kam ëndërruar që të luaj në finalen e Champions League, ndaj fakti që do të jem këtë herë është një nder. Gjithsesi, kjo mbetet një ndeshje për t’u fituar. Kemi patur një sezon të jashtëzakonshëm dhe dëshirojmë ta përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. E di që do të japim maksimumin për të fituar ndaj një rivali të fortë si Inter. E dija që me City-n do të kisha mundësi të shënoja shumë, sidomos kur ke shumë kampionë përreth që të krijojnë mundësi shënimi apo të krijojnë hapësira. Do mundohem të shënoj edhe në finale. Kur shënoj një gol e harroj atë, pasi mendoj për golin e radhës. Kjo është ajo që duhet të bëj çdo sulmues. Jam me fat që kam këta shok skuadre.

Haaland këtë sezon ka realizuar 52 gola në total, në të gjitha turnetë, ndërsa në Champions League ka shënuar 12 gola në 10 ndeshje të luajtuara./Limit.al