Humbën ndaj Sevillas, Mourinho e ka “inatin” me arbitrin, fitoi trofeun e parë, Mendilibar: Nuk e besoj akoma

Ëndrra e Romës për të fituar Ligën e Europës, u shua në Budapest, pasi në finale nuk ja arritën dot të mposhtnin, tashmë 7 herë kampionët e këtij kompeticioni Sevillan.

Skuadra nga kryeqyteti i Italisë kërkonte një tjetër triumf europian, pas atij të vitit të kaluar në Tiranë, ku arritën të fitonin të parin trofe kontinental, atë të Conference League.

‘Verdhekuqtë’ i shkuan shumë pranë fitimit të Europa League, por nuk arritën dot të ruanin avantazhin në lojë dhe nga 11-metërshat nuk u treguan të saktë.

Pas përfundimit të sfidës, në konferencë për shtyp dolën trajnerët e të dyja skuadrave.

Tekniku portugez i Romës, Jose Mourinho e ka ‘inatin’ me arbitrimin e ndeshjes.

Jose Mourinho: Arbitri dukej spanjoll, ne dhamë gjithçka. Shumë kartona të verdhë, por Lamela duhej të merrte të verdhin e dytë dhe nuk e mori, ndërsa më pas shënoi një nga penalltitë. Rezultati është i padrejtë, me shumë episode për të cilat duhet folur. Grupi ka dhënë gjithçka. Ose dilnim me Kupën, ose dilnim të vdekur. Kemi vdekur fizikisht dhe mendërisht. Ishim të lodhur. Kam fituar 5 finale europiane dhe kam humbur këtë, por nuk jam kthyer kurrë në shtëpi më krenar se sot. Të gjithë janë të lidhur me fanellën, i marrim gjërat me seriozitet dhe përulësi. Çdokush reagon në mënyra të ndryshme, njëri qan e tjetri jo. Por e vërteta është që jemi të gjithë shumë të trishtuar. Kthehemi në shtëpi duke thënë që është ishte e padrejtë.

Nga krahu tjetër, ky ishte trofeu i parë për trajnerin e Sevillas, José Luis Mendilibar.

José Luis Mendilibar: Nuk e di nëse e besoj akoma, por kështu është. Morëm trofeun, na dhanë medaljet dhe duket se kemi fituar, apo jo? E imagjinoj që kur të bëjmë pushimet do të filloj të mendoj për atë që kemi bërë. E nisëm ndeshjen keq, pa kërkuar hapësira, pa krosime, ndërkohë që ata luajtën rehat. Në pjesën e dytë ndryshuam dhe ishim më agresivë, kemi bërë më shumë krosime dhe jemi afruar më shumë në zonën kundërshtare. Për sa i përket penalltive, e kishim shumë të qartë se kush do të godiste./Limit.al