Klubet e Superiores në Kupat e Europës, ja kur hidhet shorti dhe luhen ndeshjet e turit të parë

Tashmë që dihen emrat e katër skuadrave të cilët do të marrin pjesë në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Konferencës nga Kategoria Superiore, klubet në fjalë me siguri do të fillojnë shpejt planifikimin për përfaqësimin në këto aktivitete.

Gjithsesi, për të mësuar kundërshtarët konkret do të duhet kohë, pasi shorti për turin e parë eliminator, në të cilin marrin pjesë, do të hidhet vetëm në pjesën e dytë të qershorit.

Më datat 20 dhe 21 qershor, në Nion të Zvicrës do të hidhet shorti i turit të parë të të dy aktiviteteve.

Partizani në Ligën e Kampioneve si dhe Tirana, Egnatia e Vllaznia në Ligën e Konferencës, do të mësojnë më datë 20 qershor se cila është skuadra të cilën do të kenë përballë në turin e parë.

Më datë 21 qershor, hidhet edhe shorti për turin e dytë, në mënyrë që ekipet të jenë të përgatitura pasi sfidat e dy tureve të para luhen javë pas jave dhe kështu duhet të kenë një ide të qartë se çfarë ndodh dhe cilat skuadra duhet të monitorojnë në rast kualifikimi.

Ndeshjet e turit të parë të Ligës së Kampioneve, sipas kalendarit të UEFA-s, luhen në datat 11/12 korrik, me ndeshjet e kthimit në datat 18/19 korrik.

Ndërsa ndeshjet e turit të parë të Ligës së Konferencave, luhen më datë 13 korrik dhe sfidat e kthimit më datë 20 korrik./Panorama Sport/Limit.al