Arsenali i armëve, Gjykata shpall të pafajshëm Fatjon Muratajn, Kristjan Gjinin e dënon me 5 vite burgim

Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm Fatjon Muratajn, i cili akuzohej për arsenalin e armëve të gjetura, në një banesë në periferi të kryeqytetit në korrik të vitit 2022.

Ndërkohë, Gjykata dënoi me 7.6 vite burgim Kristjan Gjinin, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar u dënua përfundimisht me 5 vite.

Ndërsa për shtetasen F.K u dënua me 90 ditë punë në shërbim të publikut. Me vendimin e sotëm, Fatjon Murataj mbetet në kërkim për largim nga banesa.

Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar 12 vite burg për Gjinin, ndërsa 3 vite për Muratajn, i cili rezulton të jetë edhe pronari i lokalit në “Don Bosko” që u qëllua me breshëri automatike, në 12 mars 2022, ku mbeti e vrarë banakierja dhe u plagosën 6 persona të tjerë, mes të cilëve edhe një vajzë e mitur.

Gjatë kontrollit në 2 banesat u gjetën 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, 1 thikë, dokumente të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete./Limit.al