Arrestohen dy efektivë të “Shqiponjave” në Tiranë, morrën 100 euro për të shpëtuar drejtuesin e një automjeti

Dy efektivë të forcave ‘Shqiponja’ në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u vunë në prangat e kolegëve të tyre, pasi dyshohen se ata merrnin ryshfet.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore arrestoi Inspektorët Andi Çelmeta, 36 vjeç me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Hashim Xhixha, 26 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Arrestimi i këtyre dy efektivëve u krye pasi këta punonjës policie u kapën në flagrancë duke i marrë një drejtuesi mjeti 100 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit të tij me masë gjobe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ndërkohë, gjatë kontrollit personal, Çelmetës dhe Xhixhës iu gjetën shuma prej 1420 euro, 8800 lekë, si edhe 4 aparate telefonike celularë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i AMP:

Tiranë – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajoni Tiranë ka arrestuar në flagrancë 2 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Të arrestuarit janë:

– Inspektor A.C., 36 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë;

– Inspektor, H.XH, 26 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Arrestimi u krye pasi këta punonjës policie u kapën në flagrancë duke i marrë një drejtuesi mjeti 100 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit të tij me masë gjobe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë kontrollit personal, këtyre punonjësve iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 1420 euro, 8800 lekë, si edhe 4 aparate telefonike celularë.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë./Limit.al