Një vend ku balsamoseshin njerëzit dhe kafshët është zbuluar në Egjipt.
Gjithashtu janë zbuluar edhe dy varre në varrezat e lashta të Saqqara, thanë zyrtarët të shtunën, sipas “Reuters”.
Mostafa Waziri, kreu i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, u tha gazetarëve se dy “punishtet e mëdha balsamimi” datojnë në epokën e dinastisë së 30-të (380-343 para Krishtit) dhe epokës Ptolemeike (305-30 para Krishtit).
Vendi përmbante shtretër guri, enë balte, enë rituale, lir, kripë natron, e cila është një nga përbërësit kryesorë për mumifikimin.
Gërmimet e Saqqara çuan gjithashtu në zbulimin e dy varreve të vogla 4400 dhe 3400-vjeçare aty pranë, që u përkisnin dy priftërinjve, Ne Hesut Ba të dinastisë së pestë të Mbretërisë së Vjetër dhe Men Kheber të dinastisë së 18-të të mbretërisë së vonë.
Mbishkrimet e kultivimit, gjuetisë dhe aktiviteteve të tjera të përditshme u gjetën në muret e varrit të Ne Hesut Ba ndërsa “skenat që tregojnë të ndjerin në pozicione të ndryshme” ishin gdhendur në varrin e Men Kheber, thanë zyrtarët.
Egjipti ka kryer operacione të gjera gërmimi në Saqqara dhe vende të tjera të lashta vitet e fundit, të cilat rezultuan në një numër zbulimesh të profilit të lartë.
Vendi planifikon të inaugurojë Muzeun e Madh Egjiptian, një strukturë moderne pranë Piramidave të Gizës në periferi të Kajros, pasi ndërtimi të përfundojë në fund të këtij viti.
Egjipti shpreson se mund të tërheqë më tej turistët pasi industria nisi të rimëkëmbej, pasi ishte goditur nga pasojat e pandemisë së COVID-19 dhe konfliktit në Ukrainë.
Të ardhurat nga turizmi u rritën në 7.3 miliardë dollarë në gjysmën e dytë të vitit 2022, një rritje prej 25.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të publikuara së fundmi.