E rrallë, zbulohen 70 bimë opium të mbjella në një arë në Vlorë, arrestohet 54-vjeçari

Një 54-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Vlorë, pasi u kap duke kultivuar lëndë narkotike të llojit opium.

Efektivët e policisë arrestuan shtetasin Tolem Lamaj, 54 vjeç, pasi në një ambjent të hapur në fshatin Drithas, kishte kultivuar 70 bimë me lëndë narkotike opium.

Nga kjo bimë prodhohet heroina. Më konkretisht heroina, një drogë që shkakton varësi prodhohet përmes përpunimit të morfinës, një lëndë natyrore e cila nxirret pikërisht nga opiumi.

Pas veprimeve procedurale dhe hetimore, lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i Policisë Vlorë:

Vijon kontrolli i territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Opium”.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, zbulohet një ambient i hapur ku ishin mbjellë 70 bimë të dyshuara opium.     

 Vihet në pranga 54-vjeçari, i dyshuar si kultivues i tyre.       

Në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për intensifikimin e kontrolleve, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, me qëllim parandalimim dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar dhe në informacionet e marra falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Opium”.

Gjatë këtij operacioni, në fshatin Drithas, në një ambient të hapur, në tokën e shtetasit T. L., u konstatuan të kultivuara 70 bimë të dyshuara narkotike opium, të cilat pas veprimeve procedurale dhe hetimore, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. L., 54 vjeç, banues në fshatin Drithas, i dyshuar si kultivuesi i bimëve narkotike opium.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Limit.al