“Alpe të pastra”, Policia asgjëson rreth 27 mijë fidanë kanabis në Malësinë e Madhe, shpallet në kërkim autori

Një plantacion i madh me kanabis, i kultivuar në një zonë të hapur si dhe me mijëra fidanë kanabis në kubik, të cilat do të mbilleshin në zonat malore të Malësisë së Madhe, janë asgjësuar nga Policia.

Uniformat blu të Komisariatit të Malësisë së Madhe kanë konstatuar në territorin e fshatit Gruemirë-Çesme, në një ambjent të hapur, 6300 fidanët e kanabis sativa të mbjellë në tokë, si dhe 20,300 fidanë në kubikë.

Policia bëri me dije se është identifikuar autori dhe shpallur në kërkim 55-vjeçari Ajet Delishaj.

Fidanët e mbjellë në tokë dhe në kubikë janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i Policisë:

Malësi e Madhe/Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të kanabisit që në fazën fillestare.

Finalizohet faza e dytë e megaoperacionit policor antikanabis “Alpe të pastra”.

Asgjësohen 6300 fidanë të mbjellë në tokë dhe 20300 fidanë në kubikë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri nga autorët kryesorë të kësaj veprimtarie kriminale.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariateve në varësi të saj, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen që në fazën fillestare të tentativave për kultivim të bimëve narkoitke, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, është finalizuar faza e dytë e  megaoperacionit antikanabis “Alpe të pastra”.

Bazuar në inteligjencën informative dhe si rezultat i planit operacional për kontrollin e territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë konstatuar në territorin e fshatin Gruemirë-Çesme, Malësi e Madhe, në ambient të hapur, 6300 fidanë të dyshuar cannabis sativa të mbjellë në tokë, si dhe 20300 fidanë në kubikë, që dyshohet se do të kultivoheshin në toka, në zona malore të Malësisë së Madhe.

Fidanët e mbjellë në tokë dhe në kubikë janë asgjësuar me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Falë veprimeve të shpejta, bazuar dhe në informacionet e siguruara, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur  identifikimin e njërit prej autorëve kryesorë të tentativës për kultivimm të këtyre fidanëve, konkretisht shtetasin A. D., 55 vjeç, banues në fshatin Polvar, Malësi e Madhe, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon./Limit.al