Venat varikoze primare ose siç quhen ndryshe variçet, janë zgjerime të qëndrueshme dhe të përdredhura të venave sipërfaqësore të gjymtyrëve të poshtme, kryesisht të dy venave safeniene.

Cilat janë shkaqet kryesore për shfaqjen e tyre?

Shkaqet kryesore në shfaqjen e tyre janë:

  • Trashëgimia
  • Shtatzënitë
  • Obeziteti
  • Profesionet me qëndrime të zgjatura në këmbë ose ulur palëvizur
  • Traumat e ndryshme
  • Menopauza
  • Mosha e avancuar
  • Dëmtimi i venave të baçinit nga shkaqe të ndryshme, etj.

Këto shkaqe çojnë në dëmtimin e murit të venave safeniene dhe të valvulave të tyre, duke bërë që gjaku venoz të mos kthehet normalisht nga poshtë – lart kur njeriu është në pozicion në këmbë ose ulur me këmbët varur.

Zgjerimi i këtyre venave vazhdon ngadalë, gradualisht e ”në qetësi”, duke dëmtuar dhe duke zgjeruar degët e tyre, derisa krijohen paketat varikoze masive.

Simptomat 

  1. Ndjenjë rëndese dhe dhimbje djegëse në pulpë, sidomos në fund të ditës së punës,
  2. Kruarje e lëkurës në zonat e paketave varikoze,
  3. Ekzema,
  4. Mbingjyrosje dhe fortësim i lëkurës,
  5. Kapilarë në formë merimange,
  6. Këmbë gjithmonë të lodhura shoqëruar me krampe të muskujve.

Si i trajtojmë variçet?

Për trajtimin e tyre sot aplikohen katër metoda të cilat trajtojnë në mënyrë të ndryshme vetëm pjesën e venës kryesore nga rrëza e kofshës deri në gju.

Metodat e trajtimit janë:

  • Heqja me sondë nëpërmjet një prerje 3-4 cm në rrëzë të kofshës;
  • Tharja e venës me shkumë;
  • Djegia e venës me rreze lazer;
  • Djegia e venës me radiofrekuencë.

Paketat varikoze në kërci trajtohen njësoj për çdo metodë, me heqje nëpërmjet prerjeve të vogla.

Sa më e madhe të jetë vena kryesore, aq më shumë rekomandohet heqja me sondë.  /Hygeia.al /Limit.al