Tiranë, grabiti postën tek “5 Maji” nën kërcënimin e thikës, arrestohet 27-vjeçari, sekuestrohen dhe lekët e vjedhura

Efektivët e Policisë kanë arritur të identifikojnë dhe të kapin autorin e grabitjes së një poste private, mbrëmjen e së mërkurës, në rrugën ‘5 Maji’.

Në pranga ka rënë 27-vjeçari Ordis Molla, i cili mori një shumë parash pasi kanosi punonjësin e postës, me një thikë dhe më pas u largua me motor.

Gjithashtu u sekuestrua edhe shuma e parave që 27-vjeçari vodhi nën kërcënimin e thikës, në filialin e postës në zonën e ‘5 Majit’.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Filiali”.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari që mori një shumë parash në filialen e një poste private, duke kanosur punonjësin e postës, me mjet preës (thikë).   

Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës (thikë) dhe veshjet që ka patur autori gjatë ngjarjes, si dhe motomjeti me të cilin ai është larguar. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, ku një shtetas mori një shumë parash pasi kanosi punonjësin e postës, me mjet prerës (thikë) dhe më pas u largua me motomjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Filiali”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:

O. M., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u bë i mundur identifikimi i këtij shtetasi, i cili më datë 17.05.2023, rreth orës 21:15, hyri në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, mori xhiron ditore duke kanosur me mjet prerës thikë, punonjësin e postës, dhe më pas u largua me motomjet.   

Shuma e parave të vjedhura nga shtetasi O. M. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin prerës thikë që ai ka përdorur për kanosjen, veshjet e tij gjatë vjedhjes dhe motomjetin me të cilin është larguar.  

Materialet proceduale në ngarkim të shtetasit O. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”./Limit.al