Kovaçevski: Bullgaria po na trajton ne ashtu siç po trajton Rusia Ukrainën

SHKUP–  Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, ka akuzuar këtë të enjte Bullgarinë se po e trajton vendin e tij ashtu siç e trajton Rusia Ukrainën. Sipas tij Maqedonia e Veriut po trajtohet si Ukraina por kjo nuk është e drejtë. Ai deklaron se vendi i tij njihet ndërkombëtarisht si një shoqëri demokratike dhe e sukseshme që mbron liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Dimitar Kovaçevski: Retorika e përdorur nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut , për fat të keq, është shumë e ngjashme me retorikën e përdorur nga Federata Ruse ndaj Ukrainës. Është e papranueshme abuzimi me akuza të tilla të pabaza për qëllime politike, veçanërisht në këtë moment kritik të historisë së Evropës. Maqedonia e Veriut njihet ndërkombëtarisht si një shoqëri dhe demokraci e suksesshme, moderne multietnike dhe këtë e konfirmojnë të gjitha raportet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. 

Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë qenë problematike vitet e fundit. Bullgaria gjatë dy viteve të fundit ka bllokuar fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në për shkak të dallimeve të hapura etnike, gjuhësore dhe historike midis dy vendeve, gjë që ka ngjallur reagime të forta nga Shkupi./Limit.al