Interi rikthehet të luajë në një finale të Champions League, pas plot 13 vitesh mungesë.
Zikaltërit prenë biletën për në finalen e madhe të Stambollit në 10 qershor, pasi mposhtën rivalët e tyre të përjetshëm të qytetit Milanin.
Pasi vinte nga avantazhi i dy golave në sfidën e parë, Inter ja doli të fitojë edhe aktin e dytë, kësaj radhe me golin e vetëm të takimit, të shënuar nga Lautaro Martinez.
Pjesa e parë e lojës foli më shumë për të besuarit e Piolit, të cilët krijuan disa raste të rrezikshme për shënim.
Brahim Diaz në minutën e 11-të shpërdoroi një rast të artë, duke goditur topin lehtë dhe e çuar në duart e Onanas.
Rasti më i rrezikshëm për Milanin erdhi nga këmbët e Rafael Leaos.
Në minutën e 38-të, portugezi bëri gjithçka mirë vetë, por në fund tentativa e tij përfundoi shumë pranë shtyllës së majtë pingule.
Fraksioni i dytë i lojës nisi qetë, me të dyja skuadrat që mundoheshin të kontrollonin topin, por pa sjellë rrezik në portat respektive.
Të pafuqishëm kuqezinjtë për të ndëshkuar skuadrën e Inzaghit, ndërkohë që janë zikaltërit ata që i japin fund shpresave të Milanit për një përmbysje dhe kualifikim të madh.
Lautaro Martinez bën të shpërthejë në festë ‘San Siro’ me golin e realizuar në minutën e 78-të.
Ndeshja përfundon 1-0 për Interin dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-0, skuadra milaneze bën gati valixhet, për tu nisur drejt Turqisë./Limit.al