Ekspozita audiovizuale “DASHURIA është DASHURI është DASHURI” hapet këtë të mërkurë

Instituti SEKHMET po sjell një ekspozitë të veçantë audiovizuale të titulluar “DASHURIA është DASHURI është DASHURI”.

“Çfarë do të thotë dashuria për ju”? Këtë pyetje organizatorët ju kanë bërë familjarëve të personave queer, duke mbledhur dëshmitë e tyre të përzemërta. Në Kosovë, ku jeta e individëve LGBT+ është e margjinalizuar, përvojat dhe ekzistenca e anëtarëve të familjes së tyre, veçanërisht prindërve, shpesh anashkalohen në diskursin publik.

Ekspozita synon të eksplorojë ndikimin e zgjedhjes së një personi për të dashur lirshëm dhe fuqinë transformuese që mund të ketë tek ata që e rrethojnë.

“Ne duam të thellohemi në udhëtimin e përbashkët drejt krijimit të një lloji të ri të familjes: nga një familje gjaku në një familje dashurie. Ju ftojmë të bashkoheni me ne për të dëgjuar atë që këto nëna dhe motra kanë për të ndarë për dashurinë”, thuhet në njoftim.

Zërat e tyre do të shoqërohen me një video ilustrim të Leart Ramës. Hapja e ekspozitës audiovizive do të bëhet në orën 17:30 të datës 17 maj, Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë, Lesbofobisë dhe Transfobisë, në Qendrën për Praktikë Rrëfyese (Ish – biblioteka Hivzi Sylejmani).

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 24 Maj dhe ju inkurajojmë që ta vizitoni çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00 për të përjetuar këtë eksplorim intim të dashurisë.

Ekspozita është realizuar nga Instituti SEKHMET dhe është mbështetur nga Manifesta 14 Prishtinë. / KultPlus.com