Ushtronte presion te qytetarët për votat, pezullohet nga detyra Inspektori i Policisë në Konispol

Një rast flagrant dhe i rëndë është kryer nga ana e një efektivi policie në Konispol, në prag të zgjedhjeve vendore.

Inspektori në Postën Policore të Konispolit, Alush Çokalli është përfshirë në fushatë elektorale, duke u bërë presion disa qytetarëve për vota, në favor të Partisë Socialiste.

Denoncimi ndaj Inspektorit Çokalli u bë nga banorë të zonës së Konispolit, ku kanë shpërndarë edhe një fotografi të automjetit që punonjësi i Policisë përdorte.

Sipas denoncimit, ndaj tij është bërë një kallëzim në Prokurori dhe SPAK.

Ndërkohë lidhur me rastin, ka reaguar edhe Drejtoria e Policisë Vlorë, e cila deklaroi se e ka pezulluar nga detyra zyrtarin e Postës së Policisë në Konispol.

Reagimi i Drejtorisë së Policisë Vlorë:

Në lidhje me një foto të publikuar në një portal, ditën e sotme, në të cilën shfaqet automjeti i një punonjësi policie, në zonën e Konispolit dhe pretendohet se ky punonjës ndodhej aty, për t’u bërë presion qytetarëve, në lidhje me fushatën zgjedhore, ju sqarojmë se:

Menjëherë pas publikimit të këtij rasti, është pezulluar nga detyra, deri në verifikimin dhe provimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, inspektor A. Ç, me detyrë Ndihmësspecialist (SPZ) në Postën e Policisë Konispol. Gjithashtu, ndaj këtij punonjësi, ka nisur hetimi disiplinor.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Kujtojmë që ligji ia ndalon rreptësisht çdo punonjësi apo efektivi policie, të përfshihet nëpër fushata elektorale, në mbështetje të një force politike./Limit.al