Varhelyi i ‘PRERË’: Propozimi i Ekipit Menaxhues, pikënisje në diskutimet për Asociacionin

BRUKSEL-Komisioneri për Çështje të Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Oliver Varhelyi deklaroi këtë të mërkurë se draft-propozimi i Ekipit Menaxhues, duhet të jetë pikënisje në diskutimet për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Draft-statuti për Asociacionin është prezantuar më 2 maj në Bruksel, në kuadër të takimit të nivelit të lartë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër të tjera Komisioneri tha se krijimi i Asociacionit është obligim që del nga marrëveshjet e dialogut.

Oliver VarhelyiDuhet të zbatohen të gjitha obligimet nga dialogu, pa vonesa dhe pa kushte, përfshirë edhe atë nga marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe. Siç ka nënvizuar Përfaqësuesi i posaçëm për dialog [Mirosllav Lajçak] draft-propozimi i prezantuar në takimin e fundit nga Ekipi Menaxhues, është pikënisje për diskutimet e mëtejme për themelimin e Asociacionit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se draft-statuti i prezantuar, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit. Si përgjigjje, ai e ka prezantuar më pas një draft-vizion, që, sipas tij, rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Duke iu referuar burimeve në Brukse REL shkruan, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Përgjatë debatit në Parlamentin Europian, Varhelyi u shpreh se Komisioni Europian e mirëpret vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Institucionet e BE-së kanë marrë vendim që shtetasit e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Sipas Komisionerit gjyqësori akoma nuk është sa duhet efikas dhe ka ndërhyrje të panevojshme politike. Mes tjerash, Varhelyi ka shprehur gatishmëri për të vazhduar ndihmën për Kosovën në sektorin e energjisë.

Oliver Varhelyi: Qeveria e Kosovës ka marrë pozicion të qartë sa i përket agresionit rus ndaj Ukrainës dhe ne e mirëpresim këtë. Kosova duhet të përmirësojë kornizën ligjore për vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë edhe konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë ilegale.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./Limit.al