Juventus “hipotekon” Championsin, Gjimshiti ndër më të mirët në fushë, Napoli nuk toleron Fiorentinën

Juventus ‘blindon’ vendin e dytë në Seria A dhe ‘hipotekon’ kualifikimin për në Champions League sezonin e ardhshëm. Bardhezinjtë triumfuan në transfertë ndaj Atalantas, me shifrat 0-2. Suksesin ‘Zonja e vjetër’ e arriti në 45-minutëshin e dytë të lojës, pasi pjesa e parë u mbyll pa gola. Bergamaskët zhvilluan një pjesë të parë loje më të mirë, por nuk ja dolën dot të ndëshkonin torinezët. Në fraksion e dytë, Juve ‘tregon dhëmbët’. Skuadra e Allegrit kalon në avantazh në minutën e 56-të, me talentin 19-vjeçar Iling Junior. Suksesin për bardhezinjtë e vulosi Vlahoviç, i cili shënoi dhe golin e dytë pas 98 minutash lojë.

Në fushën e lojës për Atalantën ishte për 90 minuta edhe Berat Gjimshiti. Edhe pse skuadra e tij u mposht, mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte një ndër lojtarët më të mirë në fushë për Atalantën. Gjimshiti u vlerësua nga mediet italiane me notën 6.5, një ndër më të lartat nga lojtarët bergamask. ‘E parashikon shpesh Milik dhe merr masa kundër tij. Ka autoritet në fushë’, shkroi ‘Tuttomercatoweb’.

Stadiumi ‘Diego Armando Maradona’ priti kampionët e sapo shpallur të Italisë. Me shkallët e impiantit të tejmbushur, në fushën zbritën ‘heronjtë’ napoletanë, që rikthyhen titullin kampion në Napoli pas 33 vitesh.

Edhe pse matematikisht kampion, skuadra e Spalletit nuk toleroi dhe mposhti Fiorentinën 1-0. Golin e vetëm të përballjes e realizoi Osimhen, që hyn kështu në histori. Sulmuesi nigerian realizoi golin e 47-të në Seria A, duke parakaluar një legjendë si George Weah me 46 realizime. 24-vjeçari bëhet futbollisti afrikan me më shumë gola në elitën e futbollit italian./Limit.al