Arsenal shpreson ende te titulli kampion në Premier League. Topçinjtë triumfuan ndaj një kundërshtari të vështirë si Newcastle, që po bën mirë në këtë sezon. Londinezët triumfuan 0-2 në trasfertë, në një ndeshje që ishte tepër vendimtare për ta, në luftën për titull. Nga 1 gol për çdo pjesë mjaftuan që Arsenal të korrte sukses dhe të dilte me 3 pikë nga ‘St. James Park’.
Pas një nisjeje të mirë të lojës nga Newcastle, që goditën edhe shtyllën me Murphy, në minutën e 2-të, ekipi londinez gjen golin e epërsisë në minutën e 14-të. Odegaard realizoi një gol mjaft të bukur nga jashtë zone.
Skuadra e Mikel Artetas e nis mirë pjesën e dytë, me Martinellin që trondit traun e shtyllës së portës të mbrojtur nga Pope.
Fabian Schar i vulosi suksesin Arsenalit, 20 minuta nga fundi i lojës, duke dërguar topin në portën e tij dhe shënuar një autogol.
Në fund ndeshja përfundon 0-2. Arsenal shkon në kuotën e 81 pikëve dhe qëndron pranë Cityt kryesues, me vetëm 1 pikë larg.
Manchester United vë në pikëpyetje kualifikimin për në Champions League sezonin e ardhshëm. ‘Djajtë e kuq’ pësuan disfatën e radhës, pas asaj të një jave më parë nga Brighton.
Të besuarit e Erik Ten Hag u mundën në transfertë ndaj West Ham me rezultatin 1-0. United luajti një pjesë të parë mjaft më mirë, duke rrezikuar portën kundërshtare, në disa raste me Bruno Fernandez, Antony apo dhe Rashford, por tentativat e tyre përfunduan jashtë kuadratit. Një gafë e portierit De Gea, ‘merr në qafë’ United. Në minutën e 27-të, Benrahma i jep avantazhin West Hamit, pasi tentativa e tij përfundoi në rrjetë, pas gabimit amatoresk të gardianit të ‘djajve të kuq’.
Përballja mbyllet 1-0 për skuadrën londineze, e tashmë Manchester United e sheh Liverpoolin e vendit të pestë vetëm 1 pikë larg./Limit.al